Ndërlidhjet

Rritja e hidhur ekonomike prej 0.9 për qind


Rritja ekonomike për vitin 2014 ka qenë 0.9 për qind. Kjo shifër e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka hedhur poshtë vlerësimet e institucioneve të larta shtetërore, por që nuk ka befasuar ekspertët për çështje ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.

Sipas shifrave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, është thënë se norma e rritjes ekonomike për vitin 2014 ishte 2.7 për qind.

Haki Shatri, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, duke konsideruar rrije reale normën prej 0.9 për qind, thotë se kjo rritje ekonomike nuk zgjidh problemet e qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, rritja ekonomike prej 2.7 për qind ka qenë reklamim mashtrues dhe i qëllimshëm nga autoritete kompetente, për të fshehur dobësitë dhe mangësitë e qeverisjes.

“Është aq e ulët si nivel i rritjes, sa nuk vërehet asgjë, do të thotë nuk mund të zgjidhet asnjë problem. Nëse e marrim parasysh edhe rritjen e numrit të popullësisë, rritja e Bruto Produktit Vendor për kokë banori del se mund të jetë edhe negative”, ka thënë Shatri.

Shatri konsideron se në këtë rënie ka ndikuar shkalla e lartë e korrupsionit, evazioni fiskal, rënia e investimeve të huaja dhe qeverisja jo e mirë.

Si vit të dështuar në aspektin e zhvillimit ekonomik e kishte vlerësuar vitin 2014 edhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i këtij asociacioni ekonomik, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se mos krijimi i institucioneve të reja të Kosovës për gjashtë muaj vitin e kaluar, vlerësohet të jetë një ndër faktorët kyç i cili ka ndikuar në ngecjen ekonomike.

“Me vet faktin se vitin e kaluar kemi pasur rënie të investimeve të huaja direkte, nuk kemi pasur mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës, kemi pasur shumë më tepër eksport, para të gatshme përmes importit, jo vetëm paratë e kosovarëve por edhe të diasporës, dëshmon më së miri se 0.9 për qind është një realitet i cili bazohet jo në indikatorë tjerë, por vetëm në konsum“, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu, thekson se është koha e fundit kur zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve, pasi sipas tij, mundësitë për rritje ekonomike edhe gjatë këtij viti janë të pamundshme.

“Edhe për vitin 2015 është proklamuar se do të jetë 3.5 për qind. Mirëpo në qoftë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2015 i kemi këto trende, atëherë është vërtet një shifër optimiste që mund të arrihet. Sidoqoftë, është koha që statistikat në Kosovë të japin rezultate të sakta të të dhënave dhe jo gjithmonë me rezultate të gabuara”, tha ai.

Edhe Haki Shatri nuk pret se edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike ashtu siç kanë paralajmëruar institucionet përgjegjëse.

"Parashikimet e ekzekutivit për këtë vit për rritje ekonomike janë prej 4.0 për qind. Nuk ka asnjë indikator makro-ekonomik që na bën të presim ose të besojmë se ka ndonjë kthesë pozitive. Investimet publike janë zvogëluar për 70 milionë në krahasim me vitin e kaluar".

"Investitorët e jashtëm kanë filluar të tërhiqen. Investimet private janë në rënie për shkak të lëvizjes ekonomike te vitit të kaluar, sepse ekonomia nuk është në gjendje të ndajë mjete për investime apo fond të akumulimit, në kushtet që mezi i mbulon nevojat elementare për jetë të qytetarëve", tha Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, viteve të fundit vazhdimisht ka pasur rënie të nivelit të rritjes ekonomike. Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike ka qenë 5.39 për qind, në vitin 2011 po ashtu mbi pesë për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje fillon të ulet.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e produktit të brendshëm bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013, rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind, kurse sipas të dhënave të fundit, vitin e kaluar kjo shifër ka rënë nën një për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG