Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë organizuar të shtunën, siç e kanë quajtur ato, manifestimin paqësor, me moton “Manifestojmë për Republikën”.
Qytetarëve të tubuar në këtë manifestim, u janë drejtuar liderët e tri partive opozitare.
Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Visar Ymeri, ka theksuar se tubimi i mijëra qytetarëve në manifestim, është shenjë se populli si sovran, kërkon anulimin e marrëveshjeve, të cilat i kundërshton tash e sa kohë opozita.
“Pushteti i Isa Mustafës e Hashim Thaçit po na thotë se nëntori ynë ka vdekur. Pushteti po na copëton sërish, po na i zvogëlon trojet, po na e sjellë Serbinë në Kosovë përmes ‘Zajednicës’ ( referim ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe). Po na e çon Kosovën nën Serbi përmes marrëveshjeve të padrejta dhe të pabarabarta. Po ia fal tokat tona Malit të Zi. Prandaj ky pushtet është i padrejtë”, ka thënë Ymeri.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se shkaktar i manifestimit të ditës së shtunë në Prishtinë, në të cilin është protestuar kundër marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është pushteti i tanishëm në Kosovë.
“Pushteti na ka nxjerrë sot në rrugë, sepse po do që ta bëjë Serbinë zot shtëpie në Kosovë. Na ka detyruar të gjuajmë gaz, sepse po do t’i japë tokë të Kosovës, Malit të Zi. Ne, të gjithë që kemi ardhur këtu dhe gjithë të tjerët që pajtohen me ne, e kemi një porosi: sot kemi ardhur t’i themi jo pushtetit, jo marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Jo Serbisë që të vijë në Kosovë dhe jo tokën tonë t’ia falim Malit të Zi”, është shprehur Haradinaj.
Ndërkaq, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka shpaluar kërkesat që ka opozita ndaj Qeverisë së Kosovës, në rast se ajo nuk i anulon marrëveshjet, të cilat po i kundërshton opozita.
“Atëherë ne i kemi edhe dy kërkesa tjera: të dërgohen në referendum këto dy marrëveshje, që të deklarohen qytetarët e Republikës së Kosovës ose e treta, vendi ynë të shkojë në zgjedhje të lira”, ka theksuar Limaj.
Pjesëmarrësve në manifestim u është drejtuar edhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Të dashur qytetarë, ndryshimet që ne i duam janë ndryshime shumë të mëdha. Prandaj, këtyre ndryshimeve të mëdha u nevojitet një guxim i madh, u nevojitet shumë guxim i të gjithë neve dhe i secilit prej nesh. Guximi, para së gjithash dhe mbi të gjitha edhe e mundëson, por edhe e realizon fitoren”, ka thënë Kurti.
Manifestimi i organizuar nga partitë opozitare, ka përfunduar në orën 14 e 50 minuta.