Kosova është duke u ballafaquar me probleme të mëdha energjetike dhe me këtë situatë çfarë është aktualisht, nuk do të mund të arrijë 4.5 përqindëshin e zhvillimit të synuar si dhe hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës që i kanë premtuar.
Këto janë disa vlerësime të pjesëmarrësve të konferencës me temën “Qëndrueshmëria energjetike dhe zhvillimi ekonomik”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i pranishëm në këtë konferencë, ka deklaruar se janë në përmbyllje të disa projekteve të cilat sigurojnë stabilitet energjetik në Kosovë.
“Ne i kemi katër prioritete kryesore në kuadër të këtij plani, siç janë ‘Kosova e re’ ‘Kosova A’, ‘Kosova B’, dhe energjia e ripërtërishme. Kosova e re është ajo që e zgjon interesimin më të madh dhe që nga viti i kaluar dhe deri më tani ka zhvillime pozitive dhe jemi në fazën e avancuar të bisedave më investitorin amerikan, Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së cilës i kemi dhënë sinjalin e gjelbër për të vazhduar”, ka theksuar Stavileci.
Sidoqoftë, deri tek ndërtimi i këtij termocentrali duhet shumë kohë dhe atë sipas ekspertëve të energjetikës, deri në shtatë vjet.
Duke u nisur nga e gjithë kjo, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se Kosova nuk do të mund t’i arrijë objektivat e synuara.
“Nëse përcjellim atë që na vjen nga qeveria, qoftë në formë të deklaratave qoftë në formë të dokumenteve strategjike premtohet zhvillim, premtohet punësim premtohen investime, premtohen 4.5 për qind të normës së zhvillimit, si do të zhvillohet ku sigurisht nuk do të ketë asnjë megavat më shumë energji elektrike gjatë këtij mandati të kësaj qeverie”, deklaron Rexhepi.
Rexhepi ka kujtuar vitin e kaluar kur Kosova kishte pasur një situatë të ndjeshme energjetike e cila, siç thekson ai, kishte dëshmuar se sa i paqëndrueshëm dhe jo stabil është furnizimi me energji elektrik në Kosovë.
“Çështja e ndërtimit të termocentralit 'Kosova e re' është problem i ngutshëm dhe problem i cili duhet jo nesër, por është dashur dje të definohet kjo çështje pasi që nëse dëshirojmë zhvillim, hapje të vendeve të reja të punës dhe zbutjen e problemeve sociale që ne i kemi, energjetika është çështje e pashmangshme dhe e domosdoshme”, ka shtuar ai.
Sa i përket projekteve të mëdha në fushën e energjisë në Kosovë, Pranvera Dobruna anëtare e Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, theksoi se ato duhet të trajtohen në mënyrë sa më të drejtë, përmes vendimeve të duhura në këtë drejtim.
“Pika e parë që duhet të diskutohet është termocentrali 'Kosova e re', dhe ne duhet ta shfrytëzojmë momentumin që e kemi dhe Bankën Botërore e cila po na qëndron prapa dhe gjithashtu ta shfrytëzojmë edhe momentumin që mund të shesim këtë projekt (Kosova A) si zëvendësim me termocentralin 'Kosova e re', pasi që jo në shumë vende mund t’i shesin projektet që djegin thëngjill, pra ky është momenti i fundit që mundemi ta shesim si projekt që e bën zëvendësimin”, ka deklaruar Dobruna.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës është zotuar se deri në vitin 2017 do të mbyllë së funksionuari Termocentralin “Kosova A”.
Këto zotime janë dhënë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e standardeve të BE-së në emetimin e gazrave.
Aktualisht, Termocentrali "Kosova A" mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.