Ndërlidhjet

Monopol në ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re"


Mungesa e ofertave në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ka ngritur shqetësime të mëdha te shoqëria civile dhe ekspertët e çështjeve energjetike në Kosovë.

Ata thonë se me vetëm një ofertues për ndërtimin e këtij termocentrali, po krijohet monopol në procesin e mëtutjeshëm.

Komisioni për Vlerësimin e Ofertave për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, të martën ka bërë hapjen e propozimit financiar për fazën e parë për ndërtimin e këtij termocentrali, të dorëzuar nga ofertuesi Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në bazë të analizave dhe studimeve të ndryshme të realizuara nga këshilltari teknik i Transaksionit, është bërë e ditur se kostoja totale e investimit në projekt do të jetë rreth 1 miliard euro.

Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë në kohën kur ishte marrë vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky projekt ka hyrë në një situatë kritike.

Zhvillimet që kanë ndodhur në tërë këtë proces, shton ai, e kanë degraduar projektin.

“Zhvillimet që janë bërë në projektin e termocentralit kanë pasur ndryshime të mëdha, gjë e cila ka bërë që sot të kemi në garë vetëm një investitorë. Në çdo vend ku ka monopole në fushën e ekonomisë, normalisht që ai e përcakton gjithë garën e mëtutjeshme”.

“Nëse Banka Botërore, këshilltarët e saj dhe konsulentët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë projekt kanë dhënë dritën jeshile se projekti mund të vazhdojë me vetëm më një garues, mendojë që ai projekt, nuk do të sjell zhvillime pozitive për çmimin e energjisë elektrike në Kosovë”, thotë Çeku.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet energjetike, e quajnë jo transparent procesin tenderues për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se e kundërshtojnë tërë procesin pasi që është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Ligji i prokurimit publik kërkon që të paktën të jenë dy pjesëmarrës në tender, dhe ne siç e dimë është vetëm një. Pra projekti i Termocentralit 'Kosova e re', nuk duhet të vazhdojë më tej, pasi që është një projekt që do të ketë ndikim social dhe çmimi i saj është shumë i lartë dhe nuk duhet të shkohet vetëm me një ofertues”, thotë Azemi.

Mungesa e konkurrencës në këtë projekt, shton Azemi, bën që kompania të vendos vetë se cila është oferta financiare, pa iu frikësuar konkurrencës.

“Ky tender ka pasur shumë parregullsi. I tërë procesi po shkon me shumë parregullsi dhe jo transparentë. Do të kërkojmë që të krijohet një organ hetues për të parë se çarë ka ndodhur në këtë projekt që nga fillimi”, shton ai.

Qeveria e Kosovës, lidhur me tërë procesin e ndërtimit të këtij termocentralit, sipas ekspertit të çështjeve energjetike Ethem Çeku, ka hyrë në një situatë të vështirë.

Sipas tij, të rikthehet procesi në fillim do të jetë humbje e madhe e kohës, por, gjithashtu të vazhdohet gara me vetëm një garues është sfidë e madhe për institucionet.

“Mendoj që qeveria duhet ta rishqyrtojë tërë procesin, të shikon se si mund të bisedohet dhe të negociohet edhe më investitorët tjerë, të bëhen ndryshime ligjore, pasi që ky është projekt që ka ndikime të mëdha ekonomike dhe financiare dhe nuk është një projekt që zgjatë një vit apo dy vjet, por kohëzgjatja e tij është 40 vjeçare e më tepër”.

“Unë ndaj një skepticizëm të madh se pse ka mbetur vetëm një ofertues dhe një ofertues i cili, nga natyra e tij, ka një natyrë të mirë financiare, por nuk ka shumë natyrë zhvilluese të projektevedhe ndërtimit të projekteve”, sqaron Çeku.

Vendimi për ndërtimin e këtij projekti ishte marrë në vitin 2006, menjëherë pas formimit të Ministrisë së atëhershme të Energjisë dhe Minierave. Si projekt është zvarritur nga viti në vit, dhe si i tillë kishte pësuar shumë ndryshime.

Në radhë të parë termocentrali kishte 2,100 megavat, pastaj projekti riemërohet nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e Re”, ku prapë ulet kapaciteti prodhues në 1,000 megavat.

Ndërsa, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat, pastaj nga pakoja tenderuese hiqet ndërtimi i Termocentralit “Kosova B”.

Ndryshe, Termocentrali “Kosova e Re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG