Ndërlidhjet

Mbyllja e "Kosovës A" kërkon alternativë


Qeveria e Kosovës ishte zotuar se deri në vitin 2017 do të mbyllë së funksionuari Termocentralin “Kosova A”.

Këto zotime janë dhënë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e standardeve të BE-së në emetimin e gazrave.

Zyrtarë të qeverisë thonë se kjo çështje do rregullohet në kuadër të Strategjisë së Energjisë e cila pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, kurse ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se mbyllja e Termocentralit “Kosova A” nuk duhet të ndodhë pa ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Udhëheqësi i departamentit të energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Luan Morina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nuk e përmend vitin 2017 si përfundimtar për mbylljen e këtij termocentrali.

Por, ai thotë se mbyllja do të fillojë nga qeveria, pasi që të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re".

“Procesi i dekomisionimit (ndërprerja e punës) së Termocentralit 'Kosova A' do të ndodhë sipas vendimit të qeverisë deri në vitin 2017. Vendimi i qeverisë nënkupton që deri në vitin 2017 do të trajtohen asetet periferike që janë në këtë termocentral. Kurse dekomisionimi total do të ndodhë me futjen e kapaciteteve të reja gjeneruese që është projekti 'Kosova e Re'", ka thënë Morina.

Termocentrali "Kosova A" mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Edhe ish ministri i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku, konsideron se nuk duhet të ndodhë mbyllja e termocentralit “Kosova A” pa përfunduar projekti i ri energjetik.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Çeku tha se në rast të mbylljes, mundësitë për t’u përballur me mungesë të energjisë elektrike janë evidente, kurse importi i energjisë është shumë i shtrenjtë.

“Në qoftë se e mbyllim termocentralin 'Kosova A' mungesa e madhe e energjisë dhe çmimi i shtrenjtë i blerjes se energjisë në tregjet e jashtme do t'i kushtojë qytetarit dhe ekonomisë së Kosovës".

"Në qoftë se e blejmë 80 euro megavatin, atëherë normalisht që edhe faturimi i tij do të jetë një faturim shumë i shtrenjtë. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të mbajë edhe një kohë blloqet e Termocentralit 'Kosova A' dhe duhet të investojë në to”, tha Çeku.

Përveç mungesës eventuale të energjisë elektrike, në rast të mbylljes së këtij termocentrali, shqetësues mbetet numri i punëtorëve që do të mbesin pa punë, e që llogaritet të jenë mbi 1,500.

Por, Luan Morina nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se komponentë të mbylljes së Termocentralit “Kosova A” janë edhe çështjet sociale.

“Është një grup punues që i trajton edhe çështjet sociale edhe ata dalin me rekomandime si të procedohet më tutje. Një numër i tyre mund të trajtohet në bazë të pensionit, një numër mund të jetë nevojë e termocentralit të ri".

"Por, në momentin kur do të vendoset për stopim të punës së Termocentralit 'Kosova A' do të vendoset edhe se si të procedohet më këtë kategori të punëtorëve", shprehet Morina.

Ndryshe edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se konform zotimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, duhet bërë dekomisionimin e termocentralit më të vjetër në Kosovë, i cili përdor teknologji shumë të vjetër në gjenerim të energjisë.

Dekomisionimi i Termocentralit "Kosova A" do të fillojë nga Qeveria, pasi që të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re".

Sidoqoftë, kapacitetet prodhuese të të gjitha njësive të Termocentralit “Kosova A” arrijnë në 450 megavat orë energji.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG