Linjat e autobusëve nga Maqedonia për në Serbi janë të mbushura me migrantë nga Lindja e Mesme, të cilët kanë ikur nga vatrat e luftës në vendlindjet e tyre.
Ata kryesisht udhëtojnë në drejtim të Nishit dhe Beogradit.
Migrantët nga Siria, Iraku dhe Afganistani po e shfrytëzojnë këtë rrugë tranzitore për të depërtuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Të rraskapitur nga rruga e gjatë përmes 7 shteteve, mijëra persona çdo ditë kërkojnë një jetë më të mirë larg luftës dhe shkatërrimit.
Abdulrahim Ghazoul 20 vjeçar, vjen nga qyteti Homs i Sirisë. Ai ka arritur të depërtojë deri në Beograd.
Tash e sa ditë, po fle në rrugët e Beogradit, pas udhëtimit të gjatë që ka bërë nga Siria deri në këtë vend.
Me të u takuam në afërsi të Hotelit Union në Beograd, njëri nga hotelet ku po qëndrojnë migrantët, edhe pse shumicës prej tyre në mungesë të dokumenteve që duhet t'i marrin nga Departamenti për të Huaj në Beograd, nuk iu lejohet qëndrimi.
Sipas menaxhmentit të hotelit, rreth 50 migrantë në ditë, lajmërohen në këtë hotel.
"Shteti Islamik, Bashar al-Asadi, Ushtria e Lirë Siriane, dhe shumë grupe të tjera, edhe terroriste, na detyruan të ikim nga vendi. Na shkatërruan shtëpitë dhe gjithçka tjetër", thotë Ghazoul, i cili është nisur i vetëm në këtë rrugëtim të gjatë.
Familja e tij jeton në Kuvait, ndërsa Ghazoul nuk ka mundur të depërtojë atje për shkak të vizës.
Për të ardhur deri këtu, atij i është dashur të kalojë nëpër 6 shtete, herë në këmbë, e herë me tren e anije [Siri, Liban,Turqi,Greqi, Maqedoni, Serbi].
Nëse migrantët arrijnë t’iu shmangen autoriteteve, derisa udhëtojnë në këmbë ose me tren nga Greqia, ata mbërrijnë nga Gjevgjelia në qytetin Demir Kapi.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë thotë se numri i migrantëve të paligjshëm është katërfishuar në katër muajt e fundit. Sipas saj, mijëra migrantë hyjnë në Maqedoni çdo javë.
"Kemi ecur në këmbë në shumë raste... nga Izmiri për në Greqi ka anije me çmim prej 800 deri 1100 dollarësh amerikanë, varësisht nga madhësia dhe shpejtësia e anijes. Ata që kapen kthehen në Turqi dhe izolohen nga bota e jashtme", thotë Ghazoul.
Ghazoul ka treguar se ka raste kur migrantët humbin rrugën gjatë përpjekjeve për të depërtuar në Evropë dhe në shumë raste , sipas tij, “migrantët përballen me rrezikun e trafikimit”.
Abdulrman Naas, 17 vjeçar, një tjetër migrant nga Siria, ka humbur motrën e tij të vogël rreth 5 vjeçare, gjatë kalimit nga Greqia për në Maqedoni, dhe nuk di asgjë për fatin e saj.
Nëna e tij ka mbetur në Siri, ndërsa babai në Liban.
Nëse nga asgjë tjetër, migrantët në rrugët e Beogradit vëreheshin edhe nga këmbët e enjtura, për shkak të ecjeve të gjata.
Ata synojnë të shfrytëzojnë kufirin e Serbisë me Hungarinë, për të depërtuar në destinacionin kryesor, Austri ose Gjermani.
Hungaria, si kalim nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ka kërcënuar me mbylljen e kufirit me Serbinë për shkak të fluksit të madh të migrantëve.
Vendimi pritet të merret të mërkurën, më 17 qershor.
"Nuk mendojmë se është në rregull që ata po na dërgojnë refugjatët, ata duhet të ndalen në territorin serb", tha kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në një intervistë për mediat vendore hungareze.
Në fillim të këtij viti, një numër i madh i migrantëve nga Kosova kanë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pikërisht kufirin e brishtë ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, për të depërtuar në vendet e Bashkimit Evropian.