Ndërlidhjet

Udhëtimi i rrezikshëm me biçikletë


Veles
Veles

Deana Kjuka

Njerëzit që ikin nga zonat e konfliktit përtej Mesdheut dhe shpresojnë të ndërtojnë një jetë të re në Evropë, përballen me vështirësi të mëdha nëse ndalojnë në Maqedoni.

Mediat lokale atje raportojnë se shumë migrantë, përfshirë sirianë, ngasin biçikleta ditë e natë përgjatë autostradës nga Demir Kapija, nëpër qendrën industriale të Velesit, në drejtim të Serbisë.

Në shumë raste, ata ngasin me foshnjat e lidhura për gjoks.

Nëse migrantët arrijnë t’iu shmangen autoriteteve, derisa udhëtojnë në këmbë ose me tren nga Greqia, ata mbërrijnë në qytetin Demir Kapija, ku blejnë biçikleta për pjesën tjetër të udhëtimit.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë thotë se numri i migrantëve të paligjshëm është katërfishuar në katër muajt e fundit. Sipas saj, mijëra migrantë hyjnë në Maqedoni çdo javë.

Biçikletat duket se kanë fituar popullaritet në mesin e tyre prejse policia e armatosur ka nisur të patrullojë nëpër stacionet hekurudhore.

Në Maqedoni kanë vdekur disa migrantë gjatë vitit të kaluar. Në muajin prill, një tren ka goditur për vdekje 14 persona nga Siria dhe Afganistani.

Udhëtimi i migrantëve është i mbushur me rreziqe.

Disa raporte thonë se bandat i plaçkitin migrantët ose i mbajnë peng ata, në përpjekje për të nxjerrë shpërblim nga familjet e tyre.

Dy gra siriane, të intervistuara nga Shërbimi i Maqedonisë i Radios Evropa e Lirë, kanë thënë se policia lokale i ka detyruar ato të paguajnë ryshfet.

Ato, po ashtu, kanë thënë se me të arritur në qytetin Gjevgjeli, banorët lokalë u kanë shitur një biçikletë të përdorur për 150 euro.

Mediat në Maqedoni thonë se qyteti Demir Kapija ka përfituar në kurriz të migrantëve. Banorët u shesin biçikleta deri në 500 euro. Një bukë mund të kushtojë për të huajt së paku 100 denarë, ose tri herë më shumë se çmimi për vendasit.

Por, me gjithë përfitimet, shumë aktivistë dhe banorë kanë bërë thirrje për mbrojtje dhe siguri më të madhe për migrantët.

Një grup në Facebook i quajtur “T’i ndihmojmë azilkërkuesit” është krijuar nga aktivistë të agjencive lokale dhe ndërkombëtare të ndihmës. Ai ka grumbulluar më shumë se 3,000 anëtarë dhe shpërndan thirrje për paketa të ndihmës dhe fotografi për situatën e migrantëve në vend.

Aktivistja Mersiha Samiloviq ka shpërndarë fotografi dhe histori të migrantëve që ka takuar dhe u ka bërë thirrje njerëzve që t’iu dhurojnë këpucë atyre që bëjnë udhëtimin në këmbë.

Afër stacionit të trenit në Veles, një grua me emrin Lence ka bërë nam për organizimin e dërgesave ushqimore në pjesë të tjera të Maqedonisë, me ndihmën e Facebook-ut. Ajo pjek bukën vetë dhe pret për migrantët që vijnë.

Disa aktivistë thonë se problemi mund të lehtësohet me disa ndryshime në legjislacionin aktual, që do ta bënin legal transitin e migrantëve nëpër Maqedoni. Propozim-ndryshimet do t’iu mundësonin migrantëve transit treditor përmes Maqedonisë dhe do t’iu lejonin atyre të përdornin spitalet dhe transportin publik.

Mbështetësit thonë se ndryshimet e tilla do të reduktonin edhe ndikimin e bandave plaçkitëse dhe do të inkurajonin migrantët të përdorin metoda më të sigurta të udhëtimit. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG