Opozita konfirmon protestën e radhës

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se ditën e mërkurë, me 4 shkurt, do të mbahet protesta e radhës. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se protesta ka qëllime paqësore dhe ka kërkesat e njëjta sikurse protesta e 27 janarit.

“Kërkojmë shkarkim të ministrit Jabllanoviq dhe kërkojmë mbrojtjen e Trepçës përmes një ligji të veçantë, i cili e definon Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti.

Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është duke u koordinuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovën si dhe organizata të tjera, dhe për përfundimet e caktuara do të njoftojnë në ditët në vijim.

Por, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, përkrahjen për protestën e 4 shkurtit dhe pjesëmarrjen e këtij subjekti në protestë.

“Janë të tri partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të cilat janë në një vijë dhe do të jenë pjesëmarrëse në protestën e ardhshme”, ka thënë Isufi.

Në anën tjëtër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dekretuar sot ligjin “për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre”, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 19 janar të këtij viti.

Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “qëllimi i këtij ligji është që t’i japë kohë dhe hapësirë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të parandalojë likuidimin e ‘Trepçës’, si pasuri e patjetërsueshme e Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe të krijojë kushtet që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës”

Miratimi i ligjit të dekretuar sot kishte siguruar votat e partive të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre në opozitë.

Ndryshe, çështja e statusit të kombinatit metalurgjik "Trepça", por edhe deklarata e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, janë bërë shkas i protestave të partive politike në opozitë më 27 janar.

Protestat e fundit u përshkuan me përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Para kësaj, Jabllanoviq pati kërkuar falje për deklaratën e bërë dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati përmendur këtë fakt duke theksuar se Kosova ka probleme më të mëdha sesa çështjen e Jabllanoviqit.

Ai pati deklaruar se “Opozita duhet të sillet sipas votës së qytetarëve dhe jo të sillet dhunshëm dhe me dhunë të provojnë të marrin pushtetin”.

Edhe zëvendës kryeministri Hashim Thaçi, pati deklaruar se protestat e kaluara, të dhunshme “kishin objektiva politike që u drejtuan nga opozita”.

Ai kishte theksuar se “dialogu duhet të shtrohet në parlament dhe jo në sheshe”.