Ndërlidhjet

Akuza të ndërsjella për përshkallëzimin e protestave


Gjate protestave më 27 janar.
Gjate protestave më 27 janar.

Pushteti dhe opozita në Kosovë, vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për dhunën e shkaktuar në protestat e së martës në Prishtinë, ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe qeveria që ai drejton, kanë përsëritur se organizatorët e këtyre protestave provokuan dhunën për qëllime politike.

"Shkaktar i dhunës në qendër të Prishtinës, ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore", ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, "meqenëse protestuesit nuk u lejuan nga policia që të dëmtojnë ndërtesat shtetërore, sikur ditën e shtunë, të orkestruar nga organizatorët, ata sulmuan policinë me gurë dhe gjësende të forta".

Mustafa ka deklaruar se në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme.

"Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura", është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka bërë fajtore Qeverinë e Kosovës, për dhunën dhe gjendjen e krijuar të martën, që si pasojë kishte dhjetëra të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Ai ka përsëritur se Vetëvendosje, si organizatorja kryesore e protestave, mbetet pranë kërkesave që të shkarkohet ministri për kthim dhe komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, si dhe që Qeveria të nxjerr projektligjin për Trepçën, me të cilin ky kombinat do të shpallej ndërmarrje e veçantë publike.

“Ne vazhdojmë t’i kemi kërkesat e njëjta, shkarkimin e Jabllanoviqit dhe ligjin për Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë. Protestat do të vazhdojnë me po të njëjtat kërkesa dhe është çështje ditësh se kur do të jetë protesta jonë e ardhshme”, ka thënë Kurti.

Ministri serb, Aleksandar Jabllanovq, i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

Në lidhje me këto deklarata të zotit Jabllanoviq dhe kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se ministri ka kërkuar falje publike për deklaratat e tij të pamatura.

Kurse për Trepçën, Mustafa ka deklaruar se ky kombinat është në Kosovë dhe i përket vetëm Kosovës dhe nuk ka arsye për protesta e shqetësime.

"Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët kishin qëllim çuarjen përpara të agjendës së tyre politike, synimin e qartë - pushtetin pa votën e popullit", ka deklaruar kryeministri Mustafa.

Por, në lidhje me situatën e krijuar pas protestave dhe paralajmërimeve për protesta të reja, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Duke replikuar tërthorazi me opozitën për shqetësimet që po shprehen në lidhje me Trepçën, Veseli ka thënë se askush nuk ka të drejtë që të mbjellë frikë për një invazion, qoftë ai edhe ekonomik, të Serbisë në Kosovë.

"Trepça ka qenë në buzë të falimentimit dhe kanë qenë këto institucione që kanë marrë vendim për t’a parandaluar falimentimin dhe nuk do të lejojmë, minatorët do të vazhdojnë punën e vet, do të rriten pagat, do të zgjerohen kapacitetet e Trepçës, por nuk do të futemi në provokime që kanë si qëllim ndoshta falimentimin e Trepçës", ka thënë Kadri Veseli.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit.

Edhe AAK zotohet se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e protestave gjithë-popullore, deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.

Përderisa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një deklarate e mbështet shprehjen e pakënaqësisë qytetare përmes protestave të qeta, por jo edhe dhunën.

"Dhuna është e papranueshme, ajo gjithmonë shkon në dëme", thuhet në deklaratën e kësaj Zyre, që drejtohet nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Por, kjo Zyrë kishte një mesazh mjaftë të qartë edhe për Qeverinë e Kosovës.

"Demonstratat në këtë numër, si ajo që pamë të shtunën e kaluar, janë gjithashtu një shenjë e frustrimit të qytetarëve me gjendjen në Kosovë. Shpesh të njëjtat shkaqe po i shtyjnë njerëzit që të kërkojnë punë jashtë Kosovës apo madje edhe të bien viktima të migrimit të paligjshëm", thuhet në deklaratën e Zyrës së Zbogarit.

"Demonstratat janë për të dërguar një mesazh dhe ndoshta për të zgjuar institucionet politike. Por, rrugët nuk janë mënyra për të gjetur zgjidhjen, aq më pak përmes ultimatumeve", thuhet ndër tjera në këtë deklaratë.

Protesta e të martës, më 27 janar, u përshkua me përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit. Ajo pasoi protestën e së shtunës, më 24 janar, e cila përfundoi me një “ultimatum” dhënë Qeverisë së Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Jabllanoviq dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës ligjin e veçantë për Trepçën.

Këto kërkesa nuk ishin përfillur më pas nga Qeveria e Kosovës, e cila i quan ato vetëm si pretekst të opozitës për realizimin e ambicieve politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG