Një ndër sukseset në rrafshin ekonomik, për ekspertët e çështjeve ekonomike dhe turizmit gjatë vitit 2014 konsiderohet koncesionimi i kompleksit turistik “Brezovica” që gjendet në komunën e Shtërpcës.
Për t'i dhënë fund këtij procesi, autoriteteve kompetente iu është dashur afër një dekadë, pasi vazhdimisht është përcjell me probleme. Fillimisht problemet kishin nisur pas ndërhyrjes së Beogradit zyrtar dhe pakënaqësive të banorëve të asaj ane pasi, ky kompleks gjendet në komunën e Shtërpcës, rajon ky i banuar më shumicë serbe.
Ndryshe, në vitin 2006, përgatitjet për këtë proces kishin filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, pastaj Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte përgatitur një master-plan, ndërkaq përfundimisht në fund të muajit nëntor 2014 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shpallur fitues konsorciumin nga Franca dhe Andora- MDP Consultants.
Ky konsorcium ka qenë i vetëm në garë, pasi për arsye të ndryshme, tri kompanitë pjesëmarrëse në tender janë tërhequr.
Konsorciumi nga Franca dhe Andora ka ofruar 410 milionë euro, me mbi 100 kilometra ski-lift dhe me shumë elemente tjera që i takojnë një resorti.
Konsorciumi në fjalë po ashtu parasheh investime në faza për gjatë periudhës të caktuar me marrëveshje. Në vitet e para, parashihen 165 milionë euro investime.
Po ashtu, parashihet zgjerimi i hapësirave dhe krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 kilometra.
Sidoqoftë, në përgjithësi, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet në këtë pjesë pritet t’i krijojnë më shumë se 3 mijë e 50 vende pune prej të cilave 920 vende pune do të jenë në këtë kompleks.
Megjithatë, nënshkrimi i kontratës nuk do të bëhet para periudhës kohore prej 90 ditësh.
Sidoqoftë, ekspertët ekonomikë konsiderojnë se koncesioni i qendrës turistike Brezovica është projekti më i madh në Kosovë që nga përfundimi i luftës, pasi bëhet fjalë për 410 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë, Naser Graiçevci, beson se koncesionimi i këtij kompleksi do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, zhvillimin e bizneseve të vogla si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Investimet që do të vijnë dhe rregullimi i infrastrukturës së turizmit do të ndikojnë jashtëzakonisht pozitivisht edhe në parametrat makroekonomik të Kosovës, por edhe në aspektin e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme".
"Punësimi po ashtu është i padiskutueshëm pasi që është një praktikë e përgjithshme që kapacitetet turistike dhe hoteliere kërkojnë gjithmonë vende më shumë të punës në krahasim më industritë tjera”, thekson Graiçevcipër Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, ekspertët e turizmit theksojnë se rezultatet e koncesionimit të këtij kompleksi do të vërehen vetëm në vitin 2020.
Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet pasur konsideratë për këtë projekt, por megjithatë nevojitet shumë kohë deri te vendosja në funksion të kapaciteteve të pritshme nga investitori i përzgjedhur.
“Gjëja më e rëndësishme është që ky projekt të jetësohet sa më shpejtë, të fillojë operacionalizimi i tij. Mirëpo nevojitet kohë e gjatë deri sa të ndodh kjo, sepse vetë procesi zhvillohet në disa faza”, shprehet Çeku.
Sipas autoriteteve kompetente, pas koncesionimit, Brezovica pritet që të shndërrohet në qendër turistike konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë, në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit.
Qendra e skijimit “Brezovica”, shtrihet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit.
Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.