Viti 2014 më aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderohet të jetë vit i dështuar ekonomik. Në këtë vit, ata që pësuan më së shumti nga ngecja e proceseve ekonomike, thuhet të jetë sektori privat.
Mos krijimi i institucioneve të reja të Kosovës për gjashtë muaj,vlerësohet të jetë faktori kyç i cili ka ndikuar në ngecjen ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se trendët ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti kanë qenë negative.
“Ne e kemi shpallur si një vit të dështuar ekonomik, ai që ka pësuar më së shumti është sektori privat dhe mbi të gjitha është një tkurrje e këtij sektori privat, qoftë në krijimin e vendeve të punës, qoftë në promovim të prodhimeve kosovare, qoftë në atraktivitetin për partnerë dhe investitorë të huaj”, thekson Gërxhaliu.
Ekspertët e ekonomisë shtojnë se nëse nuk do të ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e politikave që nxisin zhvillim ekonomik Kosova do të kalojë në një situatë edhe më të rëndë ekonomike.
Eksperti i ekonomisë, Gërxhaliu thotë se Kosovën e presin sfida të mëdha në aspektin ekonomik në vitet e ardhshme.
“Sfidat ekonomike do të jenë shumë të mëdha për vitin 2015, por viti 2014 do të duhej të shihej në agjendat kalendarike që kanë qenë një vit ndoshta njëri nga më të vështirët që nga pas lufta në vitin 1999”, thekson Gërxhaliu.
Sidoqoftë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kishin folur për të arritura të mëdha në ekonominë e Kosovës dhe nëpërmirësim të dukshëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Por, raportet e fundit të organizatave ndërkombëtare në Kosovë kanë treguar se Kosova nuk ka ecur në drejtim të duhur në aspektin ekonomik.
Në Raportin e rregullt ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore, për Kosovën në vitin 2014, ky mekanizëm ka parashikuar që të ketë rritje ekonomike jo më shumë se 3.5 për qind.
Ekspertë të çështjeve ekonomike në fund të vitit të kaluar kishin sugjeruar autoritetete Kosovës që të fokusohen në tri çështje, siç është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e re”, përmirësimi i ambientit biznesor dhe tërheqja e investimeve të huaja.
Por, që këto tri çështje në këtë vit nuk ishin arritur të realizohen dhe nuk ishte shënuar progres i duhur.
Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri vlerëson se ekonomia e Kosovës është në krizë të thellë dhe pa drejtim të duhur.
“Jemi në një situatë që mund t’i themi krizë ekonomike. Shkalla e varfërisë është shumë e lartë dhe e paimagjinueshme. Kosova është një vend i cili ka shkallë të lartë të varfërisë, shkallë të lartë të papunësisë dhe pa asnjë element të fillimit të zgjidhjes së problemeve”, shton ai.
Përfaqësues të bizneseve gjatë këtij viti vazhdimisht kishin alarmuar se shumë biznese, për shkak të mungesës së aktivitetit ekonomik që kishte ardhur si pasojë e moskrijimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk janë në gjendje të mirë afariste.
Gjatë këtij viti në Kosovë përveç fillimit të ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit dhe dhënies me koncesion të kompleksit turistik ‘Brezovica’, nuk ka pasur ndonjë projekt tjetër.