Ndërlidhjet

Ringjallja e ngathtë e kompleksit "Brezovica"


Brezovicë...
Brezovicë...
Deri në muajin shtator pritet të shpallet kompania fituese për koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica”, thonë zyrtarë të Qeverisë.

Katër konsorciume potenciale tashmë kanë shprehur interesimin për koncesionimin e qendrës së skijimit.

Manik Begolli, këshilltar për marrëdhënie me publikun, në kuadër të projektit “Brezovica”, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se synim i koncesionimit, është që qendra turistike të shndërrohet në resor të nivelit botëror.

Begolli nuk jep ndonjë shumë të saktë se sa duhet të investohet në këtë kompleks, por thekson se bëhet fjalë për qindra miliona euro.

Megjithatë, ai thotë se investimet varen nga propozimet e investitorëve potencialë.

“Duke marrë parasysh që është një projekt gjigant, ne presim qindra miliona euro të investohen. Mirëpo, duhet të marrim parasysh, kur flitet për qindra miliona euro, përfshihen edhe biznese përcjellëse, të cilat mund të lindin apo të krijohen në bazë të projektit zhvillimor".

“Pra, shumë biznese tjera përcjellëse mund të krijohen kur edhe qendra turistike ‘Brezovica’ të zhvillohet. Pra, presim qindra miliona euro investime. Por, ndonjë shumë të saktë aktualisht nuk mund të japim”, thotë Begolli.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para një muaji, në profilin e tij Facebook, është shprehur optimist se gjatë këtij viti do të përfundojë procesi i identifikimit të investitorit potencial për “Brezovicën”.

Ai, madje, ka shkruar që, ekspertët e jashtëm kanë vlerësuar rreth 200 milionë euro investime, kurse do të krijohen deri në 4000 vende të reja të punës në komunat që preken nga Malet e Sharrit.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe.

Duke marrë parasysh madhësinë e projektit, është shumë normale të pritet se do të punësohen mijëra qytetarë, thotë edhe Manik Begolli, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Duke marrë parasysh edhe qendrën turistike ‘Brezovica’ që në të ardhmen do të zhvillohet, por edhe bizneset përcjellëse që do të krijojnë vende të reja. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme kur dihet që në Kosovë kemi shumë karakteristika për zhvillimin e turizmit dhe kur dihet që ‘Brezovica’ ofron të gjitha mundësitë të shndërrohet në një klasë turistike botërore, ndoshta konkurrente jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë në Evropën Juglindore”, thekson Begolli.

Ndryshe, ekspertë të turizmit, thonë se koncesionimi i shpejtë do të ringjallë qendrën e skijimit dhe njëherësh do të rrisë numrin e të punësuarve në atë rajon, pasi, sipas tyre, qytetarët në atë pjesë, për një periudhë të gjatë kohore kanë jetuar nga turizmi.

Megjithatë, Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, nuk pret se gjatë këtij viti “Brezovica” do të ketë kapacitete të pranimit të turistëve .

“Në ‘Brezovicë’ është dashur të intervenohet me ngutësi, të shkohet më privatizimin e kapaciteteve, infrastrukturës turistike ekzistuese. Gjetjen e investitorëve, të cilët më të vërtetë kishin pasur si qëllim për të zhvilluar atë rajon, e jo të merren me manipulime, siç ka ndodhur më disa objekte turistike në Kosovë”, shprehet Çeku .

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit. Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG