Pavarësisht që në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës janë vendosur kamera për të monitoruar procesin mësimor dhe sigurinë, studentë dhe përfaqësues të kompanive të sigurimit të angazhuar në disa fakultete, tregojnë se ka raste kur siguria cenohet.
Megjithatë, ata thonë se ky cenim nuk ka të bëjë me sigurinë e përgjithshme, por me raste të izoluara brenda objekteve të fakulteteve të caktuara.
Studentët, të cilët studiojnë në fakultete të ndryshme të Universitetin e Prishtinës, thotë se për të pasur një siguri edhe me të madhe, do të ishte mirë që të ketë një kontroll më të madh të personave që hyjnë në fakultete.
Mirlinda Asllanaj nga komuna e Skënderajt, studente në Fakultetin Ekonomik, mendon se do të ishte mirë që të ketë një kontroll më të madh të personave që frekuentojnë fakultete dhe nuk pengohen nga askush.
“Është mirë të ketë një kontroll më të madhe në fillim kur hyjnë studentët dhe të dihet kush po hyn dhe kush po del. Kjo është e mirë për sigurinë në përgjithësi, jo vetëm për profesorë por për të gjithë. Në Kosovë nuk ka siguri, por mirë që deri tash nuk na ka ndodhur diçka e keqe”, thotë Mirlinda.
Your browser doesn’t support HTML5
Kurse, Blerina Gashi, e cila në dorë mbante disa libra për ekonomi, thotë se sa herë që është në ligjërata në fakultet, nuk ndjen pasiguri.
“Mendoj se jam e sigurt kur jam në ligjërata dhe deri më tash nuk kam parë diçka që mund të jetë e rrezikshme as nga kolegët apo dhe dikush tjetër”, shprehet Blerina.
Edhe Lundrim Lluga pohon se siguria në fakultetin ku studion është në nivelin e duhur:
“Siguria është e madhe edhe kjo është e rëndësishme. Rrahjet që ndodhin ndërmjet studentëve, aty nuk ka. Kështu që besoj se ky është një plus”.
Genc Gashi, i cili studion për informatikë në Fakultetin Teknik, tregon se ka raste kur studentët nuk janë të kënaqur me vlerësimet që u bëhen nga profesorët dhe, sipas tij, në raste të tilla, mund të ketë probleme.
“Profesori mbetet profesor, kështu që duhet respektuar dhe duhet te ketë më shumë siguri, si në shkollë të mesme, si në fakultet, kjo gjë është e njëjtë. Mendoj se duhet të ketë siguri më të madhe”, konsideron Genci.
Kurse, Selvete Ferizi, e cila është duke kryer studimet master në Fakultetin Ekonomik, thotë:
“E sigurt ndihem se nuk ka ndonjë telashe, deri tash nuk kemi pasur asnjë problem. Ka njerëz të huaj që hyjnë, mund të shkaktohen telashe, mirëpo tash kanë filluar t’i vendosin kamerat në salla dhe ka një siguri më të madhe”.
Albert Gjinofci, udhëheqësi i një kompanie që ofron sigurimin e objekteve universitare me kamera, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet janë të pakta.
“Shumë rrallë ka probleme. Zakonisht në Fakultetin Ekonomik ka probleme se ka studentë më shumë dhe në Fakultetin e Mjekësisë, diku tjetër jo. Në një muaj mund të evidentohen një ose dy probleme. Një nga problemet që kemi janë rastet kur një student mundohet të hyjë në provim për studentin tjetër”, tregon Albert Gjinofci.
Sido që të jetë, për dallim nga fakultetet, dhuna në shkollat e mesme ndërmjet nxënësve, vazhdon të ekzistojë si fenomen, thonë autoritetet e rendit.