Përfundimi i studimeve universitare në Kosovë, jo domosdo u garanton edhe mundësinë e punësimit të rinjve, por vijimi studimeve dhe përfundimi i tyre në drejtime të ndryshme universitare, bëhet me shpresën se do të punësohen dhe do tu hapen dyert për zhvillim të mëtutjeshëm, vlerësojnë disa student të rinj në Prishtinë.
Në rubrikën e përjavshme të Radios Evrppa e Lirë, VOX, ata flasin për arsyet pse i kanë zgjedhur drejtimet e caktuara universitare.
Dardan Krasniqi, i cili studion në drejtimin Marketing dhe Administrim biznesi në Fakultetin Ekonomik, thotë se ka zgjedhur këtë drejtim për shkak se i pëlqen për ta studiuar, por ai nuk beson se ky shkollim do t’ia mundësojë punësimin.
“Besoj që jo, sepse tregu i Kosovës, mund të them, është mizor në këtë aspekt. Punësohen vetëm njerëzit që kanë të njohur e vlerat, mësimet, përvojat që i marrim gjatë studimeve, nuk na hyjnë në punë , në këtë drejtim, aspak".
"Thjeshtë, nuk vlerësohet, sepse është privatizuar gjithçka, në aspektin që vetëm kush ka familjarë të fuqishëm në Kosovë, mund të punësohet. Të tjerët, do ta kenë vetëm si mësim për vetveten dhe asgjë më shumë. Është shumë dëshpëruese, por s’kemi çfarë të bëjmë”, thotë Krasniqi.
Granit Morina, studion në Fakultetin ekonomik dhe gjithashtu, e sheh si mjaft problem punësimin me studimet që do t’i kryej.
“Ne mendojmë që në një të ardhme ta gjejmë një punë, me fakultet. Por, ka shumë ekonomistë dhe është shumë vështirë të gjesh punë, sepse ka shumë konkurrencë dhe nuk ka vende pune të mjaftueshme për ekonomistët. Shumë dëshpëruese”, thotë Morina.
Idriz Kadriu, studion për Bankat dhe Financat në Fakultetin Ekonomik.
Ai thotë se ka pak shporesh për të gjetur vend pune pas studimeve dhe për këtë arsye nuk e ka zgjedhur me dëshirë këtë drejtim.
“Tjetërkund nuk kam mundur të hy. Po hyjnë përmes të njohurve, ashtu sikurse edhe në punë. Me zor. Tash do ta përfundoj dhe nëse mund të hyj në punë, mirë. Nëse nuk mundem, atëherë do të dal të punoj diçka tjetër, jashtë vendit”, shprehet Kadriu.
Por, disa rinj tjerë thonë se për të siguruar një vend pune pas studimeve, duhet orientuar me kohë veten në drejtimet e caktuara, për të cilat ka nevojë tregu i punës në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Dafina Islami, studion Matematikën në Fakultetin e Edukimit. Ajo thotë se pritjet e saj janë mjaft reale që pas studimeve të siguroj punë, për faktin se matematikanët janë mjaft të kërkuar në tregun e punës.
“Kam shumë perspektivë, për shkak se ka shumë pak matematikanë në Kosovë. Ma merr mendja që kur të diplomoj, mund të hy në punë diku. Për shkak se vet drejtimi është i vështirë, ka edhe mungesë të matematikanëve në vend. Drejtimin e kam për mësimdhënie në shkolla fillore dhe besoj që aty do të punësohem në të ardhmen”, thekson Islami.
Edhe Fisnik Sllamniku, i cili studion Matematikë dhe Informatikë, vlerëson se përfundimin e studimeve nuk duhet konsideruar vetëm si përfitim i bagazhit intelektual, por edhe si mundësi për t'u punësuar.
“Ky drejtim, Matematikë dhe Informatikë, ka dallim prej drejtimeve tjera, sepse në Kosovë ka perspektivë më shumë me të, për arsye se edhe e reja, sikurse informatika, tash po kërkohet jo vetëm në Kosovë por edhe në vend tjera të rajonit. Do të thotë se mund të dal të punoj diku edhe jashtë Kosovës”, tregon Fisniku.
Shkencat kompjuterike i studion edhe Driton Aliu.
Ai shpreson se pas diplomimit do të mund të gjej punë, por, siç thotë ai, nuk do të mbështetet vetëm në mundësitë që i ofron ky drejtim.
“Ka mungesë të këtij profili në botë dhe kanë përparësi ata që e përfundojnë këtë drejtim, pra, Shkencë kompjuterike- programues. Mendoj të merrem edhe me një profesion tjetër, të elektricistit. Babi im e ka atë profesion dhe mund ta vazhdoj edhe unë”, thotë Aliu.
Arlinda Sejdiu është studente e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se është afër diplomimit.
Ajo beson se do ta ketë vështirë që të gjej punë në përputhje me profesionin, për të cilin ka studiuar.
Por siç thotë ajo, barriera e parë është krijimi i një përvoje solide profesionale, në mënyrë që më pas të gjendet vendi stabil i punës.
“Ne kemi shumë opsione të tjera për të menduar që, njëmend, në Kosovë mund ta përfundosh fakultetin dhe të mbetesh pa punë. Por, mendoj që me fakultetin që unë e kam përfunduar, mund të gjesh punë, por të duhet shumë përvoja. Në këtë rast, në gazetari duhet ta kesh përvojën shumë të mirë në punë në mënyrë që të mund të arrish diçka për jetën, më vonë”, shprehet Arlinda.