Rehabilitimi i viktimave të trafikimit, sfidë

Ilustrim

Në dekadën e fundit në Kosovë, është rritur trafikimi me qenie njerëzore dhe në shumicën e rasteve viktimat janë të mitura.

Përderisa pas përfundimit të luftës viktimat e trafikimit, që shfrytëzoheshin për qëllime seksuale, ishin nga vende të ndryshme të Evropës, kohëve të fundit numri më i madh janë viktima nga Kosova.

Arben Paçarizi, drejtor i hetimeve të trafikimit me qenie njerëzore në kuadër të Divizionit Kundër Krimit të Organizuar, thotë se gjatë këtij viti janë identifikuar 30 viktima të trafikimit.

Paçarizi thotë se trendi i formës së trafikimit është i brendshëm, pasi ka shumë pak raste kur trafikantët nga Kosova bashkëpunojnë me shtetet e rajonit.

“Prej tyre 25 janë vendore, kurse 5 të tjera janë nga shtet fqinje. Vlen të theksohet se 40 për qind prej tyre janë viktima të mitura, nën moshën 18 -vjeçare që i bie 12 prej tyre janë të mitura. Nga puna jonë hetimore rezulton se premtimet e rrejshme, premtimet për vende të punës, për martesë, pastaj premtimet për një jetë më mirë, janë ndër disa arsyet e rekrutimit apo formave që shumë lehtë mund të viktimizohen”, bën të ditur Paçarizi.

Edhe në raportin e fundit për trafikimin e qenieve njerëzore të Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet Kosova bën pjesë në grupin e dytë, ku klasifikohen vendet, qeveritë e së cilave nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për luftimin e këtij trafikimi, por që bëjnë përpjekje të mëdha drejt përmbushjes së tyre.

Raporti vë në pah se ka rritje të numrit të vajzave të moshës 14 -17 vjeçe, të cilat shfrytëzohen për qëllime seksuale në shtëpi private, klube nate apo qendra të masazheve.

Viktimat e trafikimit nuk trajtohen në mënyrë të duhur, pasi nuk kanë strehim afatgjatë, por për një periudhë të shkurtër, thotë Behxhet Shala, udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Sfidë më vete në këtë drejtim, sipas Shalës, mbetet integrimi dhe rehabilitimi viktimave të trafikimit.

Kosova, si një shtet i ri, nuk ka arritur të krijojë institucione që kujdesen për gjeneratat më të cenueshme, sepse në qoftë se një i mitur mbetet pa trajtim të duhur, nuk ofrohet mundësia që të tërhiqet nga gabimi që ka bërë qoftë me apo pa qëllim, në njëfarë mënyre po kontribuojnë në humbjen e një gjenerate”, thotë Shala.

Në Kosovë ekzistojnë disa organizata joqeveritare që merren me identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Një nga to është “Terre de Homes”, në Prishtinë.

Natyra Abazi, nga kjo organizatë, thotë se problem kryesor mbetet ri-integrimi i personave të trafikimit. Në këtë kuadër, pas identifikimit të viktimës, shqetësim mbetet kthimi i saj në familje dhe shkollë.

“Nëse ndodh dhe viktima kthehet prapë, ka nga ato që familje për shkak të stigmës që kanë viktimat, nuk e pranojnë, ose edhe kushtet e vështira në rrethin familjar. Edhe në qoftë se pranojnë të kthehet vajza ose djali, por familja nuk ka kushte socio-ekonomike që të mos trafikohet prapë. Ka raste kur është kthyer viktima në rrethin familjar - mirëpo personat që e kanë trafikuar, kanë rënë në kontakt dhe e kanë tërhequr të kthehet edhe një herë ku ka qenë”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Organizata tjetër “Shpresa dhe shtëpitë e fëmijëve” në Kosovë merret me strehimin e fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje apo janë potencial për trafikim.

Udhëheqësja e kësaj organizate, Valbona Çollaku, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson të vështirë procesin e rehabilitimit të ri-integrimit të vajzave të reja, të cilat kanë qenë viktima të trafikimit.

“Kjo varet nga kohëzgjatja e trafikimit, sa gjatë është trafikuar një fëmijë, varet nga kush është trafikuar. Në rastet kur fëmijët trafikohen nga familjarët nga të afërmit, kuptohet se rehabilitimi dhe ri-integrimi i tyre është më i vështirë, duke krahasuar me rastet tjera që trafikohen për një periudhë më të shkurtër, por edhe nga persona të huaj”, vlerëson Çollaku.

Ndryshe, Policia e Kosovës për këtë çështje gjatë këtij viti ka arrestuar 106 persona, 99 nga ta qytetarë të Kosovës, kurse shtatë shtetas të huaj.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit u ka rekomanduar autoriteteve kosovare që t'i ndëshkojnë autorët e trafikimit, të forcojnë përpjekjet për ndjekje penale, të sigurojnë trajnime të avancuara anti-trafikim për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe të rrisin përpjekjet për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët viktima.