Ndërlidhjet

Për tetë muaj 48 viktima të trafikimit


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti, e deri në muajin gusht, janë identifikuar 48 viktima të trafikuara. Sipas një raporti të Policisë, më shumë se 50 për qind e këtyre viktimave janë nga Kosova, kurse të tjerat nga vendet e rajonit.

Këto të dhëna janë publikuar me rastin e fillimit të fushatës “Hapi sytë”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të përkrahur edhe nga institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare.

Kjo fushatë ka për qëllim parandalimin dhe informimin për dukurinë negative të trafikimit të njerëzve në vend. Ministri Bajram Rexhepi derisa ka folur për fushatën kundër trafikimit me qenie njerëzore, ka thënë se institucionet e vendit duke zbatuar ligjet, do t'u dalin në ndihmë të gjitha viktimave, në veçanti fëmijëve.

“Ne kemi nevojë edhe për një partner tjetër në luftimin e trafikimit me njerëz, ky partner është publiku i gjerë. Andaj, përmes kësaj fushate vetëdijësuese, e cila do të zgjasë një muaj, synojmë të ngremë vetëdijen e përgjithshme të qytetarëve dhe t’i angazhojmë në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, është shprehur Rexhepi.

Nga ana tjetër, zëvendësambasadorja amerikane në Kosovës, Kelly Degnan, ka thënë se ndryshimet e ligjeve kundër-trafikim, do t’i ndihmonin sistemit të drejtësisë në Kosovë për të mbajtur përgjegjës trafikantët.

“Ne shpresojmë të shohim që sistemi i drejtësisë të reagojë në korrigjimin e ligjeve duke u zotuar për ndjekje penale dhe ndëshkim të rreptë të trafikuesve. Nëse nuk ka ndëshkim të vërtetë për trafikuesit, atëherë nuk do ta ndalim këtë shkelje, këtë krim. Ky standard duhet të zbatohet ndaj të gjithëve në Kosovë, edhe ndaj zyrtarëve që janë të implikuar në krime të trafikimit”, është shprehur Degnan.

Zyrtarët e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë një shqetësim për vendin.

Kosova thuhet se vazhdon të jetë një vend transit në Ballkan për trafikimin me qenie njerëzore.

Sipas një raporti me statistika të Policisë së Kosovës, numri më i madh i trafikimit me njerëz nga viti 2001 deri në vitin 2012, është nga Kosova, që prin me numër prej 229, Moldavia 231, Rumania 74, Shqipëria 65, e vende të tjera që numri i përgjithshëm për këtë periudhë shkon deri në 704.

Ndryshe, në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave, Kosova është cilësuar si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për shfrytëzim seksual.

Në raportin e DASH-it për vitin 2012, është thënë se Qeveria e Kosovës, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.

Se Kosova dhe institucionet e saj kanë ende punë për të bërë në këtë drejtim, e ka pohuar edhe përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me njerëz, zonja Keti. Ajo për Radion Evropa e Lirë ka shpjeguar se për punën që bëjnë si organizatë, nuk e kanë përkrahjen e duhur për rehabilitimin e viktimave.

Ndryshe drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave ka shpjeguar për njërin nga rastet që është duke u trajtuar.

“Kemi vajzën, e cila është 15 vjeçare, dhe ka qenë viktimë e trafikimit. Për momentin i mungon edhe përkrahja familjare. Ajo ka qenë një vajzë, si çdo viktimë tjetër, e traumatizuar, e keqtrajtuar fizikisht e psikikisht. Ka humbur të gjitha shpresat derisa nuk është referuar dhe nuk ka filluar që ta marrë ndihmën nga ne”, ka treguar ajo.

Ndryshe, në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave, Kosova është cilësuar si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për shfrytëzim seksual.

Në raportin DASH-it për vitin 2012 është thënë se Qeveria e Kosovës, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.
XS
SM
MD
LG