Ndërlidhjet

Trafikimi i njerëzve - shqetësues për Kosovën


Ilustrim
Ilustrim
Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë thonë se trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë shqetësues për vendin.

Në nisjen e muajit kundër trafikimit me njerëz në Kosovë, u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet mekanizmave përgjegjës në luftimin e kësaj dukurie. Kosova thuhet se vazhdon të jetë një vend transit për trafikimin me qenie njerëzore në Ballkan.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se luftimi i trafikimit me qenie njerëzore është prioritet i Bashkimit Evropian në të gjithë botën, ndërsa vuri në dukje interesimin e BE-së për ta luftuar këtë fenomen edhe në Kosovë.

Misioni i EULEX-it punon krah për krah me Policinë e Kosovës dhe njësinë e saj kundër trafikimit me qenie njerëzore në luftimin e këtij krimi. Vlerësimet e fundit tregojnë se Kosova, jo vetëm se është bërë vend i origjinës dhe vend transit, por se është bërë edhe vend i destinimit për trafikimin me qenie njerëzore”, theksoi ai për të shtuar se përmes fondeve të ndryshme, Bashkimi Evropian mbështet Këshillin dhe Zyrën e Koordinatorit Kombëtar në dizajnimin e politikave dhe mjeteve për rritjen e efikasitetit në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Kurse, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se dukuria e trafikimit me njerëz në vend kërkon një vëmendje të veçantë për ta luftuar.

Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor, që vendi ynë po përballet dhe i kemi kushtuar vëmendje të veçantë, ku Qeveria e Kosovës dhe aktorët e tjerë duhet të përqendrohen në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nga analiza e bërë rezulton se me gjithë përparimet e bëra me hartimin e ligjet për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me qenieve njerëzore Kosova, duhet të vazhdojë me të gjitha kapacitet institucionale në luftimin e trafikimit me njerëz”, deklaroi Thaçi.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave për vitin 2012, e ka cilësuar Kosovën si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, si dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Qeveria e Kosovës, është thënë në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë, është thënë mes tjerash në raport .

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Trejsi Xhejkobson, tha të martën se trafikimi është krim i ligë, prandaj duhet shumë punë sidomos në kapjen e kriminelëve.

Sipas ambasadores Xhejkobson, në ketë drejtim nevojitet angazhim i të gjithë qytetarëve, dhe jo veç i qeverisë për ta çrrënjosur trafikimin me njerëz.

Gjithmonë mbesin edhe shumë gjera për t’u bërë. Hetimet të mirëfillta nga policia dhe përmirësimet në kujdesin ndaj vikamave s’kanë kurrfarë domethënie nëse keqbërësit nuk ndiqen penalisht dhe nëse ata nuk dënohen për veprat e tyre kriminale”, tha ajo.

Kosova ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të forcimit të rendit, sigurisë dhe reformimit institucional, deklaruan zyrtarët e institucioneve kosovare duke shtuar se trafikimi me qeniet njerëzore ekziston si një nga format e veçanta të krimit të organizuar, me pasoja dhe rrezikshmëri të lartë për shoqërinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës dhe rajonit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se megjithatë në drejtim të zbatimit të strategjisë nacionale kundër trafikimit me njerëz janë vërejtur disa ngecje.

Ka pasur edhe disa ngecje të strategjisë së kaluar. Ngecje ka pasur veçanërisht në objektivat e ndëshkimit të personave që merren me trafikim të qenieve njerëzore. Pra i mbetet gjyqësorit që ta përforcojë punën e vet në këtë drejtim”, tha ministri Rexhepi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i kryeprokurorisë së shtetit, prokurori Besim Kelmendi, theksoi se prokuroritë janë duke dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim.

Deri më tash prokurori i shteti ka dhenë një kontribut të madh dhe i ka dhënë një rendësi të veçantë luftës dhe parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore, duku u dhënë përparësi lëndëve të kësaj natyre. Duke caktuar prokurorë të veçantë që përcjellin zhvillimin dhe gjendjen e trafikimit në Kosovë si dhe veprime të tjera”, tha Kelmendi.

Ndryshe në vitin e kaluar në prokuroritë e Kosovës, janë ngritur akte akuzuese kundër 109 personave të përfshirë në vepra penale që lidhen me trafikim të njerëzve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG