Pafuqi apo injorim ndaj filleve të radikalizmit islam?

Ilustrim

Përpjekjet e ekspansionit të radikalizmit islamik, në trajtën e lëvizjes vehabiste, nuk janë të vona në Kosovë, por ato datojnë që nga periudha menjëherë pas luftës në Kosovë, duke bërë përpjekje që të bëjnë shtrirje aty ku gjejnë terren të përshtatshëm, vlerësojnë njohësit e çështjeve të religjionit dhe të sigurisë në vend.

Ata vlerësojnë se ardhja në Kosovë, menjëherë pas luftës, e organizatave humanitare joqeveritare nga shtetet e lindjes, me parashtesa fetare, ndërlidhja e tyre me njerëzit që kishin nevojë për ndihma humanitare, por edhe moskontrollimi i tyre nga ana e segmenteve përgjegjëse të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shënon situatën ku u krijua filli i zhvillimit të vazhdueshëm të radikalizmit fetar në Kosovë.

Por, a ka mundur të parandalohet e gjithë kjo?

Naim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, e sheh si të vështirë përkufizimin e mundësive që kanë pasur përfaqësuesit vendorë në Kosovë, në kohën e administrimit nga UNMIK-u, për ta hetuar fillimisht, por edhe për t’u përballur me fillin e këtij fenomeni.

“Ne jemi dëshmitarë që edhe një certifikatë të lindjes për ta nxjerrë (në atë kohë) duhej përfaqësuesi i UNMIK-ut aty. UNMIK-u përbëhej nga të gjitha vendet e botës, pra edhe nga shtetet e Lindjes së afërt dhe ato të cilat, praktikisht, kanë promovuar dhe promovojnë në botë, si dhe ndihmojnë në botë sektet radikale brenda fesë islame. Unë mendoj se nuk ka mundur Kosova ta ketë ndonjë fuqi për t’iu kundërvënë kësaj dukurie, depërtimit dhe shfaqjes së saj brenda Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti Maloku.

Ai shton se Agjencia Kosovare e Inteligjencës, si institucion që qëndron në radhën e parë për përballje me këtë fenomen, nuk mund të fajësohet për neglizhencë ndaj problemit, duke pasur parasysh, sipas tij, vonesën në funksionalizimin e saj, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Por, Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit në disa universitete në vend dhe jashtë tij, thotë se përhapja e radikalizmit islamik, në trajtën e vehabizmit, është manifestuar në disa faza, por sipas tij, faktorët politikë dhe kulturor në Kosovë, nuk i kanë marrë seriozisht këto lëvizje.

Kjo për arsyen, siç thotë ai, të ndjenjës së përkatësisë evropiane të Kosovës, si dhe bindjes për moslëkundjen e islamit tradicional, i cili është manifestuar në Kosovë.

Por, profesor Hasani, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ajo që ka ndodhur së fundmi në Kosovë, vërteton se asnjë entitet kulturor fetar dhe asnjë shkollë fetare nuk mund të jetë imune ndaj ndikimeve që ushtrohen mbi to për ta devijuar rrugën.

“Vazhdimisht ka pasur tendenca të importimit të shkollave të ndryshme juridike, të përkatësive ideologjike të këtyre shkollave, nga studentët shqiptarë dhe të pjesëve të tjera të Ballkanit, si dhe dijet dhe ideologjitë, të cilat i kanë përfituar nga universitetet ku kanë studiuar atje, sidomos në shkencat e drejtësisë”.

“Është normale që ata kanë bërë përpjekje pastaj që t’i bartin ato ide këtu, t’i zhvillojnë dhe me këtë të bëjnë përpjekje për ngulitje të lëvizjes ekstreme vehabiste, e cila e kundërshton radikalisht islamin konvencional ose islamin tradicional”, vlerëson Hasani.

Profesor Hasani thotë se përhapja e ideologjisë për radikalizëm fetar, ka qenë vetëm një fazë, ndërkohë që fazë tjetër ai e vlerëson të jetë krijimi i infrastrukturës. Në këtë pikë, sipas tij, përgjegjësi mban edhe, siç e quan ai, Bashkësia Fetare Islame e Kosovës.

“Në kohën kur mendjet e njerëzve të paanshëm kanë bërë thirrje që Bashkësia fetare islame duhet t’i spastrojë radhët brenda vetvetes, sigurisht që këta zëra, nga Bashkësia Fetare Islame nuk janë dëgjuar me dashamirësi, kinse Bashkësia Fetare Islame e Kosovë është imune ndaj këtyre lëvizjeve dhe kinse ajo e ka situatën komplet në duart e veta”.

“Ndërkohë, pas ngjarjeve të fundit, doli se të paktën 4 ose më tepër xhami, në të cilat ushtrohen këto veprimtari të paligjshme, në emër të fesë, janë jashtë juridiksionit të Bashkësisë Fetare Islame”, shton Hasani.

Por, cilat janë fuqitë reale të Kosovës dhe institucioneve të saj , për ta luftuar këtë dukuri?

Maloku thotë se një gjë të tillë e kanë të vështirë edhe vendet e mëdha dhe të fuqishme perëndimore. Por, sipas tij, Kosova tashmë ka hyrë dhe është në luftë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar dhe duhet t’i fuqizojë të gjitha institucionet që janë pjesë e kësaj lufte.

“Kosova edhe nëse nuk e ka, duhet ta krijojë patjetër fuqinë, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Në ballë të kësaj lufte është AKI-ja dhe unë mendoj se janë një kuadër i ngritur mirë dhe profesional. Por, duhet t’i hapim sytë, sepse ne jemi në luftë kundër kësaj të keqeje dhe gjatë kësaj përballjeje, ne duhet t’i fuqizojmë këto institucione dhe normalisht, të marrim aksione dhe të ndërmarrim hapa të gjithanshëm”, thekson Maloku.

Ndryshe, gjatë muajit gusht, në Kosovë janë arrestuar mbi 40 persona, të dyshuar për pjesëmarrje në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar.

Gjithashtu, nga organet e sigurisë janë intervistuar edhe imamë, përfshirë këtu edhe imamin e Xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Njohësit e çështjeve të religjionit dhe të sigurisë në vend vlerësojnë se këto veprime të organeve të sigurisë do ta qetësojnë situatën, në njërën anë, dhe në anën tjetër, do t’i ndërgjegjësojnë lëvizjet radikale për faktin që Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe lëvizjeve ekstreme që identifikohen me këtë terrorizëm.