Ndërlidhjet

Qytetarët: Kosova, e njohur për tolerancë


Me rastin e festës së Fitër Bajramit, qytetarët në Prishtinë flasin për rolin e fesë në shoqërinë e Kosovës.

Shumica prej tyre thonë se Kosova është e njohur për tolerancën e saj fetare, por ka edhe të tillë që thonë se toleranca nuk iu bën përshtypje, për shkak se e shohin fenë si diçka që mund të dëmtojë shoqërinë.

Zana Vuniçi, thotë se pa marrë parasysh që gjatë luftës në Kosovë, është tentuar që populli i Kosovës të etiketohet si popull mysliman, toleranca gjithmonë ka eksituar. Zana shpreson të mbetet kështu.

"Gjithmonë kemi qenë vend që kemi pasur tolerancë fetare, janë munduar të na etiketojnë si vend mysliman gjatë kohës së luftës, por ajo nuk ka qenë e vërtetë, ne kemi tolerancë, dhe shpresoj që do të vazhdojë të mbesë ashtu", shprehet Zana.

Kohën e luftës e përmend edhe Donika. Por asaj i duket që vërehet një dallim nga koha e pasluftës kur qytetarët kanë qenë edhe më tolerantë sesa që janë tani.

“Mendoj që para luftës ka pasur më shumë tolerancë fetare, duke u nisur nga fakti se festat fetare janë festuar pavarësisht se cilës fe i përket. Tash po më duket që ka më pak tolerancë”, thekson ajo.

Vesa nga Prishtina, thotë se besimi është çështje personale, dhe se nuk është e sigurt nëse populli kosovar është tolerant apo jo.

"Unë jam tolerante, unë e kam besimin tim dhe mendoj që është çështje personale. Nuk ka nevojë të imponohet. Përndryshe, sa i përket popullatës, në përgjithësi, mendoj se ne si popull jemi shumë neglizhent ndaj pakënaqësive të jetës, andaj si popull nuk e di a jemi tolerantë”.

Driton Gashi thekson tolerancën me të cilën është njohur gjithmonë Kosova, edhe pse thotë se kohëve të fundit janë parë disa lëvizje pak më radikale në këtë drejtim.

Ai nuk beson që një gjë e tillë ta lë prapa zhvillimin e shoqërisë kosovare.

"Kosova ka qenë e njohur gjithmonë për tolerancën fetare, edhe pse kohëve të fundit i kemi pasur disa lëvizje më radikale, mirëpo, nuk besoj që kjo do të ndikojë te ne si shoqëri, që të na lë mbrapa për një kohë më të gjatë", shprehet Gashi.

Ka edhe qytetarë të cilët thonë se roli i fesë në shoqëri vetëm e dëmton atë. Albani është një nga ta.

"Roli i fesë në shoqërinë kosovarë është që t'i bëjë të gjitha më keq. Asnjë efekt tjetër nuk e ka. Unë nuk mund të flas për tolerancën fetare, kur nuk i besoj, nuk më intereson edhe nëse nuk ka. Vetëm mund të them që feja i bën gjërat edhe më keq në këtë shoqëri", thekson ai.

Ndërsa Graniti, thotë se ka tolerancë fetare nga shumica e popullsisë në vend, duke e dalluar një pjesë të vogël.

“Mendoj që një grup i madh ka tolerancë, por kemi një grup të vogël që ka injorancë fetare. Mendoj që disa njerëz janë rritur të ekspozuar ndaj feve të ndryshme, derisa një pjesë tjetër janë rritur në vendet rurale më të izoluar, janë më të irituar nga kryqi e simbolet fetare i lidhin me ato nacionale”, shprehet Graniti.

Besa në anën tjetër, thotë se roli i fesë nuk është shumë i rëndësishëm, duke u nisur nga fakti që në Kosovë, të gjithë janë tolerantë, dhe feja asnjëherë nuk i ka penguar njerëzve t'i ndihmojnë njëri-tjetrit.

"Ne jemi popull tolerant, dhe feja nuk na penguar kurrë që t'i ndihmojmë njëri tjetrit", thotë ajo.

Festa e Fitër Bajramit u urua nga përfaqësues të lartë fetarë dhe politikë, të cilët kryesisht përçuan mesazhe tolerance.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG