Prokuroria Speciale e Kosovës me anë të një komunikate për media ka njoftuar se imami Shefqet Krasniqi dhe disa persona të tjerë, pas intervistimit janë liruar, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës do të vazhdojë hetimet sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
Në komunikatën e prokurorisë speciale thuhet se “me kërkesë të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër Kontroll, dhe pas vendimit të Gjykatës Kompetente, në Prishtinë është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës me ç’rast janë bastisur disa objekte të ndryshme në disa lokacione në Republikën e Kosovës”.
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Policia e Kosovës, ka ndërmarr një aksion, me ç’rast ka shoqëruar ne polici imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, tha se shtëpia e hoxhës është bastisur nga ana e Policisë së Kosovës, dhe se i njëjti është shoqëruar në polici.
“Aty është bërë bastisja e shtëpisë së tij dhe e një konvikti të tij. Ai është marrë në intervistim dhe kaq. Nuk ka kurrfarë aktvendimi për ndalim apo diçka tjetër nuk ka dhe tash për tash kjo është e tëra”, tha Millaku për Radion Evropa e Lirë.
Policia e Kosovës ka njoftuar për operacionin nën dyshimet për "nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar e fetar.
Në një komunikatë të policisë, thuhet se "operacioni policor ka rezultuar me shoqërimin e një personi të dyshuar me inicialet (Sh.K.) nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale 'Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik', sipas nenit 147 të KPK-së".
Policia gjithashtu bën të ditur se janë bastisur dhjetë lokalitete, prej tyre dy OJQ, një shtëpi private dhe shtatë konvikte banimi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kanë ofruar bashkëpunimin e tyre me organet e rendit.
“Nuk duam të ndërhyjmë në punën e organeve të sigurisë dhe të gjyqësisë. Derisa imami i respektuar është shoqëruar në polici, mendojmë se organet tona të hetuesisë kanë krijuar ndonjë dyshim rreth veprimtarisë së tij”.
“Bashkësia e Islame e Kosovës është prononcuar edhe me herët dhe prapë po e përsërisim, kushdo që e cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve në Kosovë, ne do të jemi ata të cilët do ta japim kontributin tonë maksimal që kjo të mos ndodhë”, tha për REL, zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu.
Sadriu ka kërkuar nga të gjithë që të përmbahen nga paragjykimet dhe që të pritet rrjedha e zhvillimeve pasi të ketë përfunduar puna e autoriteteve të rendit dhe drejtësisë.
Mediat në Prishtinë raportojnë se operacioni ka në shënjestër persona të dyshuar për veprimtari radikale, por këto njoftime nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Në muajin gusht, policia ka arrestuar mbi 40 persona, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar.
Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Prishtinë, përfshirë presidenten Atifete Jahjaga, kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë që Kosova të shndërrohet në strehë grupesh radikale.
Jahjaga ka pranuar se radikalizmi islamik është një nga shqetësimet më të mëdha të Kosovës.
Të mërkurën, organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij ka shprehur shqetësim për gazetarin kosovar, Visar Duriqi, i cili është duke specializuar në Islamin politik, dhe i kanë bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të Kosovës që të sigurojë mbrojtje për të.
Duriqi ka marrë disa kërcënime me vdekje, përfshirë kërcënime për prerje të kokës, prejse ka treguar se si myslimanët e rinj indoktrinohen dhe binden për të shkuar në Siri për t’iu bashkuar grupeve xhihadiste.
Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës, të përfshirë në luftimet në Irak dhe në Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra të tillë.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për liritë fetare në botë, është thënë se në Kosovë ka pasur raporte për abuzim dhe diskriminim bazuar në besimin fetar.