Dekretohen gjykatësit ndërkombëtarë të Kushtetueses

Ilustrim ©Shutterstock

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 31 gusht 2014, ka dekretuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi për media nga presidenca thuhet se dekretimi është bërë duke u bazuar në marrëveshjen e ratifikuar tashmë ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, tha për Radion Evropa e Lirë se konfirmimi i mandatit të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese është bërë bazuar në marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, me dy të tretat e votave të deputetëve të legjislaturës së kaluar, pas letërkëmbimit të presidentes me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, që është pjesë e marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend.

Vllahiu tha gjithashtu se konfirmimi i mandatit të gjykatësve bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe shkresën e shefit të misionit të EULEX-it.

“Kosova ka marrë obligime shtetërore ndërkombëtare dhe mbi këtë bazë është e obliguar që t'i zbatojë ato. Si shtet i përgjegjshëm dhe pjesë e komunitetit ndërkombëtar, Kosova do të ruajë kredibilitetin e saj dhe gjithsesi se është e përkushtuar për të ndërtuar shtetin e së drejtës, duke zbatuar dhe respektuar Kushtetutën dhe ligjet e saj”, deklaroi Vllahiu.

Kurse, në një deklaratë për media nga zyra e BE-se në Kosovë thuhet se “ne e kuptojmë qe presidentja ka nënshkruar dekretin për konfirmimin e riemërimit të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me këmbimin e letrave të miratuar nga Kuvendi i Kosovës këtë vit, duke siguruar kësi soji vazhdimësinë e punës së gjykatësve ndërkombëtarë pas 1 shtatorit”.

Ndryshe, Kosova në vitin e kaluar ka nënshkruar dhe ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar kur ndër të tjera, veç vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale, të shtyjë mandatin e gjyqtarëve kushtetues.

Juristët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dekretimin e vazhdimin të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë e shohin si të drejtë.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike, tha për Radion Evropa e Lirë, se një dekretim i tillë është i drejt, por sipas tij, ekziston një konflikt ne mes të mënyrës se si Kushtetuta parashikon proceduarën e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues.

“Proceduara mbi përzgjedhjen e gjyqtarëve nuk është në tërësi në frymë kushtetuese edhe unë besoj që ky ka qenë detyrimi që Kosova dhe Kuvendi i Kosovës para miratimit të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare dhe marrjes së këtij obligimi ndërkombëtar të bëjë të mundur që asnjë problem në lidhje me zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare të mos ndodh në praktikë. Por, duhet thënë që Kushtetuta e Kosovës parashikon që çdo marrëveshje ndërkombëtare dhe çdo obligim ndërkombëtare që Kosova ka marr duhet ta zbatojë”, tha Doli.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë. Gjyqtarët emërohen nga presidentja e Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, dhe sipas ligjit mandati nëntëvjeçar, nuk mund të zgjatet.