Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit, sfidë për qeverinë e ardhshme


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Gjyqësia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, kishin karakterizuar fushatën e partive politike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.

Në tubimet me qytetarë të zonave të ndryshme në Kosovë, por edhe në debatet televizive, përfaqësuesit e partive politike që garonin në ato zgjedhje, patën premtuar një shtet ligjor dhe zero korrupsion.

Por, pavarësisht kësaj, analistët në Prishtinë thonë se çështjet që lidhen me drejtësinë gjatë këtyre katër viteve të fundit kishin qenë në qendër të kritikave në raportet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Në raportin e fundit të organizatës Transparency International, që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete kishte renditur Kosovës në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 116-të.

Derisa, në raportin e progresit për vitin 2013, është vlerësuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i dobët, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme në drejtësi dhe rrezikimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

Ky raport si shqetësim kryesor kishte veçuar nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, mungesën e reformës së administratës publike, e të tjera.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare vlerësojnë se gjendja e sundimit të ligjit si dhe shkalla e lartë e korrupsionit kanë mbetur në pozicion gati të njëjtë, ashtu siç ka qenë edhe para katër viteve.

Ismet Kryeziu, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndryshe nga fushata elektorale për zgjedhjet e vitit 2010, ku sundimi i ligjit dhe korrupsioni kishin qenë në fokus të programeve të partive politike, në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, këto çështje nuk janë vënë re shumë në listën e premtimeve të partive.

“Sundimi i ligjit dhe shkalla e lartë e korrupsionit janë hendikepi më i madh në Kosovë, dhe në të gjitha raporte vendore dhe ndërkombëtare janë vë si pikë e zezë e qeverisjes në Kosovë, dhe mendojë që partitë politike shumë pak janë duke i dhënë rëndësi këtij elementi, kjo ndoshta vjen nga fati se ata po tentojnë që të joshin qytetarin duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të qytetarëve”, thekson Kryeziu.

Sipas Kryeziut, premtimet për një shtet ligjor dhe zero korrupsion të bëra në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2010, nuk u përmbushën nga Qeveria e Kosovës e cila për katër vite është udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

“Mendoj që gjitha ato parulla zero korrupsion mendoj se nuk e kanë lëvizur shtetin drejt sundimit të ligjit apo nuk kanë vënë vendin në një pozicion më të mirë se sa ai ka qenë në vitin 2010, është bërë shumë pak në krahasim më kërkesat dhe nevojat”, shton Kryeziu

Pavarësisht nga ajo që ishte thënë para katër viteve, vlerëson Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, korrupsioni në Kosovë mbetet njëri prej problemeve më shqetësuese në shoqërinë kosovare.

“Fushata e zgjedhjeve të vitit 2010 u karakterizua nga premtimet e partive politike, sidomos nga partia në pushtet PDK-së, për reformimin e sistemit gjyqësor, luftën ndaj korrupsionit dhe përmirësimin e gjendjes së qeverisje në Kosovë, këto realisht edhe pas katër viteve mbesin sfidat kryesore të Kosovës.

"Sfida këto që po i pamundësojë Kosovës që të përmirësoj imazhin e saj në botë dhe sidomos përmirësimin e imazhit të saj brenda institucioneve të Bashkimit Evropian dhe brenda grupit të vendimmarrësve, të cilët rrjedhimisht po vendosin për Kosovën ne lidhje me procesin e integrimit evropian”
, thekson Doli.

Pas formimit të qeverisë në vitin 2010, kujton Doli, ishin nxjerr një numër aktesh ligjore të cilat kishin reformuar sistemin gjyqësore, por ajo çka ka ndodhur, sipas Dolit është që ato reforma ligje të miratuar rrallë herë janë shfrytëzuar për përmirësimin e gjendjes së sundimit të ligjit në Kosovë.

“Është dëshpërues fakti që edhe pas katër viteve të kësaj qeverisje Kosova nuk ka arritur të përmirësoj imazhin e saj si nga brenda ashtu edhe nga jashtë dhe të filloj të korr rezultate nga reformat gjyqësore e që tashmë ishin premtuar. Besoj që fushën e sivjetme qëllimisht është orientuar drejt zhvillimit ekonomik".

"Popullsia e Kosovës gjendet në një sfidë shumë të madhe të punësimit dhe të mungesës së të ardhurave personale dhe partitë politike po e shfrytëzojnë këtë situatë duke lënë anash sfidat tjera të rëndësishme të reformave tjera që i ndihmojnë jo vetëm mirëqenies së qytetarëve por edhe zhvillimit ekonomik”
, shprehet Doli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG