Ndërlidhjet

Ndjekje e ngathtë penale kundër korrupsionit


Lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion, që i kanë në shqyrtimi prokuroritë e vendit, nuk janë raste faktike me nivelin e larte të korrupsionit në Kosovë, konsiderojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Ata thonë se rastet e dyshuara të korrupsionit të nivelit të lartë ende nuk janë trajtuar nga ana e sistemit prokurorial në vend.

Udhëheqësi i Institutit i Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se në Planin Strategjik për bashkëpunim ndërinstitucional në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit 2013 – 2015, nuk janë të përfshira rastet e nivelit të lartë të korrupsionit.

“Me këtë plan të veprimit është bërë një hap para që të zgjidhen këto raste, por po e përsëris se këto raste nuk janë fare reprezentative për veprimtaritë e vërteta që ndodhin në Kosovë. Ndërsa, sa i takon profilit të lartë, këtu ende kemi çalim nga ana e sistemit prokurorial sepse ky profil vazhdon te mos ndiqet. Pra, veprimtaritë e vërteta korruptive që ndodhin janë ende duke mbetur pa u ndjekur si duhet nga ana e sistemit prokurorial”, tha Musliu.

Këshilli Prokurorial, vitin e kaluar ka nxjerrë Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit.

Prokurorja e Shtetit, njëherësh Koordinatorja Nacionale Kundër Korrupsionit, Laura Pula shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, se brenda katër muajve në bazë të strategjisë, janë ushtruar 84 aktakuza ndaj 196 personave të dyshuar për korrupsion.

Ajo shton se në bazë të një udhëzimi të nënshkruar nga Kryeprokurori i Shtetit, ai i EULEX-it dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, raste e nivelit të lartë do të përcaktohen me udhëzim.

“Të gjitha rastet e korrupsionit tani të nivelit të lartë do të përcaktohen me këtë udhëzim, do të rihetohen dhe ndiqen nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ndërsa, rastet e tjera që janë në punë dhe vijnë në një të ardhme. Do të trajtohen prapë më prioritet nga të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, departamenti për krime të rënda”, tha Laura Pula.

Kurse, Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu", konsideron se problemi më i madh në Kosovë me rastet e dyshuara të korrupsionit qëndron te lëndët që kanë të bëjnë me nivelin e lartë politik.

“Lëndët më të mëdha, më të rëndësishme nuk trajtohen fare. Në situata të ngjashme është edhe EULEX-i, perveç rastit Limaj, EULEX-i praktikisht edhe përkundër faktit që ka pasur mjaftueshme evidenca, nuk ka dërguar në gjykatë ndonjë rast të rëndësishëm kundër korrupsionit për arsye politike. Ekziston një paradigmë e përgjithshme që stabiliteti politik kërcënohet nëse luftohet korrupsioni i nivelit të lartë”, tha Zogiani.

Zogiani tha se sistemi drejtësisë e ka të pamundur të përballet me rastet e tilla për shkak të ndikimeve të vazhdueshme politike të cilat, sipas tij, ndodhin për mungesë të një reforme thelbësore të gjyqësorit.

Përkundër përpjekjeve të ndryshme institucionale, korrupsioni në Kosovë mbetet njeri prej problemeve më shqetësues në shoqërinë kosovare.

Mosmarrja e hapave të fuqishëm kundër korrupsionit, rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve, është thënë në një analizë të mëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsion, mbi ndjekjet dhe gjykimet që kanë të bëjnë me korrupsion.
XS
SM
MD
LG