Ndërlidhjet

Analistët: Qeveria tolerante ndaj korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë po parandalon zhvillimin ekonomik, ndërmjet shkaktimit të tregjeve të padrejta, po favorizon disa biznese në relacion më tjerat, duke rritur koston e operimit në treg nëpërmjet burokracisë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Ata thonë se kjo shkallë e lartë e korrupsionit po shpërndan anomali tjera ekonomike, të cilat në radhë të parë i bëjnë dëm krijimit të vlerës dhe gjenerimi të vendeve të reja të punës, si dhe funksionimit të shtetit.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekonominë e Kosovës e ka goditur "sëmundja më e rëndë", e që është korrupsioni në nivel të lartë dhe shkatërrues për një shtet.

Abdixhiku, vlerëson se pavarësisht krijimit të mekanizmave institucional për parandalimin e korrupsionit, kjo dukuri nuk ka arritur të shënojë rënie.

“Unë besoj se korrupsioni nuk luftohet me takime të tilla nuk luftohet fare vetëm me fjale, por luftohet me vullnet. Madje kam përshtypjen se njerëzit që marrin pjesë në ato takime, janë pikërisht tolerantët më të mëdhenj ndaj korrupsionit. Korrupsioni në fund të fundit, krijohet dhe gjenerohet në vet institucionet e Kosovës”, thekson Abdixhiku.

Ai shton se lajmi më i keq është që me vite përpjekje të luftimit të kësaj dukurie, Kosova nuk po arrin asnjëherë të parandalojë shpërndarjen e korrupsionit dhe ekzistencën e tij.

Që nga viti 2012, Kosova ka në veprim Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit. Ky Këshill është themeluar me qëllim që të koordinojë aktivitetet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit si dhe të rrisë vetëdijen e shoqërisë për parandalimin e kësaj dukurie.

Sidoqoftë, raporti i fundit i “Transparency International”, që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete, Kosovën e ka renditur në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.

Ky nivel i lartë i korrupsionit ka ngritur shqetësim të madh edhe për përfaqësuesit e bizneseve.

Ata thonë se prania e një perceptimi të tillë ndikon në bërjen e vendit jo atraktiv për tërheqjen e investimeve të ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se shqetësimi më i madh mbetet te fakti se në Kosovë ende nuk ekziston një mekanizëm ku mund të adresohen çështjet e korrupsionit në mënyrë diskrete.

Zeka tregon se shumë përfaqësues të kompanive të cilat veprojnë në Kosovë, hezitojnë të paraqesin rastet e korrupsionit, pikërisht nga frika se mund të përballen më pas me pasoja të ndryshme.

“Në secilin takime që e kemi me investitorët potencial ose kompanitë e interesuara që dëshirojnë të din diçka për Kosovën, shqetësimi kryesor mbetet një prani e tillë e lartë e korrupsionit në vendin tonë. Asnjë investitorë serioz asnjë brend i njohur ndërkombëtarë nuk është e interesuar të bëjë biznes në nj vend që çfarëdo kontrate publike sigurohet përmes formave të ndryshme të korrupsionit”, tregon Zeka

Luftimi i kësaj dukurie nga ana e institucioneve, shton Zeka, nuk ka qenë në nivel serioz dhe sipas tij, korrupsioni është i pranishëm në nivele të larta të institucioneve të Kosovës dhe aty duhet të hetohet.

Vazhdimi i këtij trendi të korrupsionit, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku do të krijojë pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës.

“Do të vazhdohet një trend i njëjtë i deri tanishëm, pra të një mos aftësie zhvillimore ekonomike në radhë të parë, për shkak të mungesës së investimeve vendore dhe të huaja. Vendorët do të hezitojnë të fusin paratë e tyre në tregun kosovar".

"Ndërkaq investitorët e huaj nuk do të shohin Kosovën si një vend alternativ, të sigurt për mjetet dhe kapitalin e tyre. Nëse nuk ka investime do të ketë pengesa serioze ne gjenerimin e punësimit, do të ketë pengesë serioze në krijimin e vlerës dhe rritjes ekonomike çfarë ne e kërkojmë”, thotë Abdixhiku.
XS
SM
MD
LG