Maqedoni: Librat e Muzikës pa autorë shqiptarë

Ilustrim @Shutterstock.

Lidhja e Pedagogëve Shqiptarë të Muzikës në Maqedoni, i është drejtuar edhe një herë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me kërkesë që tekstet shkollore nga lënda e Muzikës për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore dhe atyre të mesme, të hartohen nga autorë shqiptarë, e jo ato të përkthehen nga tekstet në gjuhën maqedonase, të cilat janë shkruar vetëm nga autorë maqedonas.

Adem Ymeri, përfaqësues i Lidhjes së Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me Ministrinë e Arsimit është arritur ujdi për hartimin e librave të reja të lëndës së Muzikës, me ç’rast janë formuar dhe grupe punuese, por këto tekste edhe pse janë në fazën finale, nuk janë pranuar nga Ministria e Arsimit me arsyetimin se mungojnë mjetet financiare.

“Po, kishte mundësi që në fillim të muajit shtator nxënësit shqiptarë të mësojnë nga librat e shkruar edhe nga autorë shqiptarë, por ato tekste mbeten në dorëshkrim. Ashtu sikurse para disa vjetësh kur duhej të finalizohej puna jonë me botimin e librave, Ministria e Arsimit hesht”, ka thënë Ymeri.

Ai ka shtuar se Ministria e Arsimit akoma nuk i është përgjigjur Lidhjes së Pedagogëve Shqiptarë të Artit Muzikor për një takim sy më sy, ku do të debatohej problemi i ngecjes së botimit të librave të rinj të artit muzikor.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Abdulaqim Ademi, për mediat e vendit ka sqaruar se procesi i ndërrimit të librave ka kosto të lartë financiare. Kurse, problemet me librat, të cilat kanë përmbajtje kontestuese, synohet të shmangen me përkthimin dhe përshtatjen e librave të Kembrixhit, të cilat gradualisht po zëvendësojnë librat aktual.

Ademi ka bërë të ditur se tashmë janë përkthyer librat nga klasa e parë deri në atë të tretë dhe ky proces do të vazhdojë gradualisht, duke i zëvendësuar edhe librat e klasave më të larta dhe ato të shkollave të mesme.

Ndërkaq, sipas Adem Ymerit, duhet reaguar më shpejt ngase lënda e Muzikës është lëndë specifike që pos aspektit edukativ, ka edhe aspektin kreativ dhe atë emocional për nxënësit.

Problemet me librat, të cilat janë vetëm nga autorët maqedonas, me shumë gabime gjatë përkthimit i bën ata të papërdorshëm njëherësh zbeh dhe interesimin e nxënësve për t`u marrë më tutje me këtë art.

“Ju e dini se lënda e muzikës është ajo që nxënësve u jep vullnet për tërë ditën duke i bërë më të hareshëm përmes lojës, këndimit, përjetimit të tekstit. Vërtet, nuk mund të jap shpjegim për situatën e krijuar me tekstet shkollore, veçanërisht të lëndës së Muzikës këtu në Maqedoni".

"Para 20 vjetësh librat e artit muzikor ishin nga autorë shqiptarë, me përmbajtje të larmishme të këngëve, të cilat nuk vinin vetëm nga autorët shqiptarë të Maqedonisë, por ato përzgjidheshin edhe nga autorë kosovarë dhe ata të Shqipërisë me përmbajtje të vlefshme edukativo arsimore”, është shprehur Ymeri.

Ai ka shpjeguar se nga viti 2008 e këndej, me aplikimin e nëntëvjeçares, librat e lëndës së Muzikës kryekëput përkthehen nga autorët maqedonas.

Arti muzikor shqiptar ka historinë dhe specifikat e saj, duke përfshirë ritmin, vijën melodike, harmoninë si dhe veglat muzikore, të cilat burojnë nga vlerat e traditës së kultivuar me shekuj ndër shqiptarët dhe këto vlera nuk mund të kompensohen gjatë një përkthimi të thjeshtë të autorëve maqedonas.