Ndërlidhjet

Tekstet shkollore me të pavërteta për shqiptarët


Kumanovë, Maqedoni
Kumanovë, Maqedoni

Nxënësit e shkollave në Maqedoni vitin e ri shkollor do ta fillojnë pa libra, është vendimi i ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, ndërkaq të gjithë librat që janë në përdorim do të rishikohen.

Ky vendim vjen pas reagimit të ekspertëve, Lidhjes së Arsimtarëve shqiptarë dhe sektorit civil, për shkak të përmbajtjes sa i përket historisë dhe kulturës shqiptare në brendi të librave.

Ministri Todorov paralajmëroi se rishikimi do të realizohet nga komisionet përkatëse brenda 30 ditëve.

Iljaz Halimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, thotë se disa institucione shtetërore vazhdimisht eksperimentojnë me nxënësit shqiptarë dhe edukimin e tyre.

“Me gjithë këto lëshime të mëdha që janë bërë, me gjithë këto gabime në libra, mbase dhe tendencioze si përmbajtje të teksteve shkollore, me të cilat shërbehen nxënësit shqiptarë, duhet që me automatizëm të japë dorëheqje ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, dhe zëvendësministrja që është shqiptare
”, vlerëson Halimi.

Por, ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, thotë se nuk ndihet fajtor dhe shprehet se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, ngase, sipas tij, përgjegjës janë recensentët.

"Pse duhet të japë dorëhejqje, për diçka që nuk jam fajtor? Përgjegjësia është një gjë tjetër dhe të qenët fajtor është çështje krejtësisht tjetër
”, thotë Nikolla Todorov.

Nga ana tjetër, Muzafer Bislimi nga Instituti i Historisë thekson se pos dikasterit të arsimit, përgjegjësi për tekstet shkollore ku shtrembërohet kultura dhe historia e shqiptarëve, mbajnë edhe historianët dhe arsimtarët shqiptarë.

“Po përgjegjësia është edhe te kuadri, sepse kemi shumë libra, brendia e të cilave është me pikëpyetje të madhe, ndërsa si autorë ose përkthyes figurojnë autorë shqiptarë, të cilët gjithsesi duhet të pyesin veten si kanë pranuar të jenë anëtarë të një libri ku ka shpifje për shqiptarët”
, shprehet Muzafer Bislimi.

Ndërkaq, Lidhja e Arsimtarëve shqiptarë të Maqedonisë, përshëndet vendimin e ministrit të Arsimit që të revidohen të gjitha tekstet shkollore.

Kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta, thekson se për të shmangur gabimet e këtilla, dikasteri i Arsimit gjatë hartimit të librave duhet t`i përfshijë dhe institucionet shqiptare dhe jo individë të caktuar, nga të cilët nuk mund të kërkohet përgjegjësi institucionale.

“Ne kërkojmë që të ketë ekipe profesionale edhe prej shqiptarëve, sidomos kur ministri Todorov insiston që Instituti i Gjuhës maqedonase të bëjë recensimin e teksteve shkollore”.

“Ne, si Lidhje e Arsimtarëve Shqiptarë kërkojmë që edhe Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të inkuadrohet me ekipin e tij dhe t`i përmirësojë të gjitha ato gabime, qofshin terminologjike apo në përkthim”
, nënvizon Nuhi Dardhishta.

Ndryshe në librin e Shoqërisë së klasës së pestë ishte vendosur një fotografi që përfaqësonte profetin Muhamed, që është jashtë rregullave islame.

Në po këtë libër, theksohet se Maqedonia kufizohet vetëm me Serbinë, por jo edhe Kosovën, si dhe një varg gabimesh tjera.

Ndërkohë libri i Gjeografisë, i cili përdoret nga nxënësit shqiptarë të vitit dytë në shkollat e mesme, i cili nuk është paraparë të revidohet, thuhet se “vendosja e shqiptarëve në Maqedoni ka filluar para 220 vjetëve, nga Shqipëria dhe Kosova, dhe kjo shpërngulje ende vazhdon dhe paraqet rrezik për Maqedoninë”.

Ky libër, gjithashtu i mëson nxënësit se fiset shqiptare kanë prejardhje maqedonase, turke apo edhe rome.

Shefqet Zekolli, udhëheqës i sektorit të arsimit në Komunën e Çairit të Shkupit, thekson se edhe librat e arsimit të mesëm duhet të rishikohen, sepse me vjet ato edukojnë gabimisht gjeneratën e re.

“Në të vërtetë, rrënjët e këtyre problemeve janë shumë të thella në histori, shkojnë 50 vjet më parë kur dhe u ndërtua një mentalitet i tillë ku patjetër një nacionalitet duhet të qëndrojë mbi tjetrin. Këto gjëra ne mundohemi t`i ndryshojmë dhe shpresoj se janë duke u ndryshuar për të mbarë”
, shprehet Shefqet Zekolli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG