Përfaqësuesit e partive politike, në Seancën dëgjimore të caktuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për të sqaruar të drejtën për propozimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dështuan të argumentojnë pikat kryesore dhe qenësore kushtetuese lidhur me çështjen e ngritur në gjykatë, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese.
Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se Gjykata Kushtetuese ka mundur ta caktojë seancën edhe më herët ose, siç ka thënë ai, nuk ka pasur fare nevojë ta caktojë seancën, e cila u mbajt ditën e enjte, për shkak se çështja juridike kushtetuese në fjalë, është fare e qartë dhe e thjeshtë.
Profesor Smaka, vlerëson se paraqitjet e përfaqësuesve të partive politike në këtë seancë, të Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bllokut të cilit i takon kjo e fundit, më tepër kanë qenë “të stilit politik”, se sa prezantime të argumenteve precize dhe korrekte.
“Unë e kam pritur, përafërsisht kësisoj, do të thotë, prezantimi i një teze e më pas ndonjë antitezat dhe kështu me radhë. Në përgjithësi, nuk ishin të thuktë prezantuesit e subjekteve politike".
"Nuk ishin konciz, nuk ishin preciz dhe nuk ishin bashkë-korrekt me Kushtetutën, që të përqendroheshin në pikat dhe sfidat të cilat janë relevante dhe esenciale, por më tepër në stilin politik dhe për opinionin. Tani kolegji i gjykatës është tërhequr në këshillim, në votim dhe çështja do të votohet”, thotë Smaka.
Mendim të përafërt ka edhe Dren Doli, nga Instituti për Studime Juridike dhe Politik.
Siç thotë ai, diskutimi i të dyja palëve, që duhej të paraqitnin argumentet në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, degjeneroi në çështje krejtësisht tjera, që nuk kishin asnjë lidhje me debatin kushtetues i cili është pritur nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe njohësit e kushtetutës që ishin prezent në seancë.
“Shumica e debatit u fokusua në lidhje me mënyrën se si rregullorja e Kuvendit përcakton konstituimin e Kuvendit dhe procedimin në lidhje me zgjedhjen e kryesisë dhe kryetarit të Kuvendit. Një çështje e tillë nuk është çështje kushtetuese dhe besoj që të dyja palët, si blloku ashtu edhe PDK, por edhe Vetëvendosje, dështuan që edhe një herë t’i argumentojnë pikat kryesore, qenësore kushtetuese, që së pari dhe ndoshta së fundmi, kanë të bëjnë me nocionin e grupit parlamentar dhe momentin e jetësimit të grupit parlamentar dhe se si ky jetësim vihet në jetë përmes një norme tjetër më të ulët ligjore, që është rregullorja e e punës së Kuvendit”, thekson Doli.
Në anën tjetër, afati ligjor për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje është 18 shtatori.
Por, njohësit e çështjeve juridike kushtetuese vlerësojnë se do të ishte mjaft pozitive për situatën në të cilën gjendet Kosova, që vendimi të merret dhe transmetohet më herët se kjo datë.
Profesor Smaka, vlerëson se dispozita kushtetuese për këtë çështje është e qartë dhe e thjeshtë dhe Gjykata Kushtetuese, sipas tij, ka kapacitete dhe mundësi që vendimin ta sjellë brenda ditës, në qoftë se për këtë e ka vullnetin.
“Këtë lëndë, Gjykata Kushtetuese do të mund ta gjykonte sot edhe bile sot do të mund ta kumtonte vendimin dhe më së voni nesër, t’ua shpërndante aktgjykimin e vet palëve që duhet dërguar. Tani më, vonesa mund të bëhet por një farë spektakulariteti, po e quaj kësisoj pa ironi, që kinse gjykata njëherë është konsultime deri në vendosje, më pastaj hartimi i aktgjykimit, e kështu me radhë”, thotë Smaka.
Doli, beson se Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ka vepruar në rastin lidhur me kompetencat e presidentit, do të veproj më herët, duke reflektuar mbi situatën politike në të cilën gjendet Kosova...
“Besoj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese, duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendet Kosova, të nxjerr një vendim të shpejtë. Por, dua të shpresoj që Gjykata Kushtetuese të futet edhe në çështjet tjera, të cilat kanë të bëjnë me zgjidhjen e kësaj çështje edhe për legjislaturat e ardhshme".
"Kjo çështje zgjidhet vetëm duke interpretuar dhe sqaruar një herë e mirë, nocionin e grupit parlamentar dhe momentit kushtetues se kur ky grup konsiderohet i formuar dhe rrjedhimisht i takojnë privilegjet dhe të drejtat sipas Kushtetutës së Kosovës”, shprehet Doli.
Ndryshe, pritet që përmbajtja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ta sqarojë situatën nëse Kosova do të arrijë t'i formojë institucionet apo do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.