Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë kanë dështuar në parandalimin e zhvillimit të disa veprimeve radikale ekstremiste, thonë njohës të çështjeve të sigurisë në Prishtinë.
Sipas tyre, institucionet e sigurisë tash duhet të ndërmarrin masa të veçanta dhe ato do të duhet të jenë gjithëpërfshirës për parandalimin e, siç thuhet, ekstremizmit në Kosovë.
Ekspertët i rekomandojnë Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AKI) të krijojë një dikaster të veçantë, pos atij që ka për luftën kundër terrorizmit, e për t’u marrë ekskluzivisht me çështjet e ekstremizmit.
Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha organet e sigurisë duhet të marrin masa në mënyrë që Kosova të mos bëhet strehe e grupeve kriminale ekstremiste.
“Mendoj që Agjencia Kosovare e Inteligjencës, duhet të ketë një sektor të veçantë, edhe pse një sektor për luftën kundër terrorizimit e ka. Por, unë mendoj se brenda atij dikasteri në AKI duhet të krijohet një nën- dikaster ose një drejtori e veçantë, që do të merret vetëm me trajtimin e kësaj çështjeje, si dhe me hetimin e njerëzve, të cilët eventualisht kishin me qenë të kyçur ose tentojnë apo kanë synime të inkuadrohen në këto gjëra” tha Maloku.
Nga anën tjetër, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, konsideron se rreziku me të cilin përballet Kosova nga ana e grupeve radikale të Islamit është i njohur tashmë..
“Kjo çështje ka qenë një rrezikshmëri e nivelit të ulët dikur, por tash ka kaluar në nivelin e lartë. Dhe mendoj se institucionet e sigurisë në Kosovë, vonë janë zgjuar nga gjumi, për arsye se pavarësisht përpjekjeve që janë bërë, sidomos nga ana e policisë, në identifikimin e këtyre grupeve dhe sidomos ngritja e kallëzimeve penale ndaj disa grupeve të tilla si masë parandaluese, ka qenë në nivel të ulët".
"Dhe mendoj se këtu ka dështuar trëkëndëshi polici –prokurori - gjyqësi, për arsye se nuk ka arritur të përfundojë si duhet ai që njihet si cikël gjenerik i hetimeve”, u shpreh Qehaja për Radion Evropa e Lirë.
Qehaja konsideron se institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë kanë indikacione dhe informacione se grupe të caktuara radikale kanë potencial për përdorimin e forcës në Kosovë.
“Ka indikacione të sakta se këto grupe kanë potencial dhe mund të kenë qëllime për përdorimin e forcës në territorin e Kosovës, meqë grupet e caktuara terroriste kanë futur Kosovën në një hartë ilegale, ku pretendohet futja e pushtetit në Kosovë dhe në pjesët e tjera të botës".
"Kjo përbën një indikacion të saktë në aspektin e sigurisë që këto grupe mund të përdorin edhe forcën për arritjen e qëllimeve. Dhe ajo çka duhet të bëjë qeveria e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi është që të punohet maksimalisht në identifikimin e të gjitha këtyre celulave, do të thotë në marrjen e informacioneve”, u shpreh Qehaja, duke shtuar se një kujdes i shtuar duhet të ndërmerret në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Ndërkaq, zoti Maloku, konsideron se krahas shumë veprimeve që duhet të merren nga organet e rendit ne drejtim të parandalimit të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në vendet e luftës, edhe Bashkësia Islame e Kosovës duhet ta ketë rolin e saj në parandalimin e dukurive të tilla.
“Duhet të kyçet më tepër Bashkësia Islame, me ligjërata që i mbajnë në rastet e faljeve nëpër xhami dhe krerët fetarë duhet të jene me aktivë në prononcimet e tyre”, tha Maloku.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në botë gjatë vitit 2013, për Kosovën thuhet se ka pasur raporte për abuzim dhe diskriminim bazuar në besimin fetar.
“Vëzhguesit kanë vërejtur një rritje të retorikës së hapur anti-semitike dhe një vëmendje më të madhe të opinionit për fraksionet brenda komunitetit islam, të cilët promovojnë pikëpamje më pak tolerante, e të cilat nuk janë në përputhje me të kaluarën historikisht të moderuar dhe tolerante të shtetit”, thuhet në raport.
Ndryshe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngritur tashmë çështjen e parandalimit të veprimeve radikale ekstremiste në takimet që ka zhvilluar me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Presidentja ka kërkuar që institucionet e vendit të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë "për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve, jo vetëm të Kosovës dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit".
Më 30 korrik, edhe komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se "radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri".
Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës të përfshirë në luftimet në Irak dhe Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra syresh.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim më 14 mars të këtij viti projekt-ligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit, projekt-ligj ky i cili nuk arriti të hyjë në fuqi, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit në muajin maj.