Problemi mjedisor, me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, është bërë një problem kronik.
Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe institucione tjera relevante, kanë ngritur një komitet ndërministror, i cili këtë vit ka shërbyer për parandalimin e sëmundjes në fjalë.
Si rezultat, këtë vit nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, krime kongo.
Ndryshe, nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë.
Këtë vit kur edhe është paraqitur rasti i parë i pickimit nga rriqrat me datën 8 shkurt në Malishevë, ndihmë mjekësorë në këtë vend kanë kërkuar 2,125 qytetarë.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, jep hollësi të tjera:
“Këtë vit situata paraqitet më e qetë krahasuar me vitet e kaluara. Nga data 8 shkurt kur edhe është paraqitur rasti i parë i pickimit të rriqrave, 2,125 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa prej tyre 55 qytetarë janë udhëzuar në Klinikën Infektive, ndërsa 4 kanë rezultuar me ethe hemorragjike, por që asnjë nuk ka humbur jetën këtë vit”.
Ndërkaq, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas infektologes Lindita Ajazaj - Berisha, fluksi i pacientëve që kërkojnë ndihmë si pasojë e pickimit nga rriqrat, ka shënuar rënie.
“Këtë vit, 91 pacientë kanë qenë të shtrirë. 372 pacientë është dashur t’ua heqim rriqrat nga trupi. Situata epidemiologjike është nën kontroll. Këtë vit kemi pasur fluks më të vogël, krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm 5 raste janë me ethe hemorragjike, por që janë në gjendje të mirë shëndetësore. Asnjë nuk është i hospitalizuar. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Këtë vit kemi pasur edhe terapi dhe nuk kemi pasur telashe”, thotë ajo.
Ndërkaq, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Besim Zogaj, ka theksuar se pavarësisht situatës së qetë epidemiologjike, sa i përket etheve hemorragjike, ndihmë mjekësore vazhdojnë të kërkojnë qytetarët që pickohen nga rriqrat.
“Është një rënie e numrit. Tash në ditët e fundit 10 deri 15 persona vizitojnë Qendrën e Mjekësisë, por situata është e qetë”, shpjegon Zogaj.
Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se këtë vit, gjithashtu është punuar edhe në vetëdijesimin e popullatës, gjë që konsiderohet si shumë e rëndësishme në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.