Ndërlidhjet

Masat parandaluese për ethet hemoragjike


Ilustrim
Ilustrim
Problemi mjedisor me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë është bërë një problem kronik.

Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se tashmë Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe institucione tjera relevante, kanë ngritur një komitet ndërministror, që do të shërbejë për parandalimin e sëmundjes në fjalë.

Ndryshe nga ethet hemorragjike gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë.

Jusuf Dedushaj, epidemiolog, jep hollësi të tjera rreth kësaj çështjeje.

"Pas epidemisë që u zhvillua vitin që e lamë pas, e që ishte një situatë e rëndë në komunën e Malishevës, Rahovecit, Gjakovës e Klinës, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë e Kosovës, ngritën një komitet ndërministror që të bëhen parapërgatitjet e duhura që në vitin 2014 të t'i ikim ndonjë epidemie eventuale dhe humbjen në njerëz".

"Ky komitet ka bërë një punë të mirë sepse janë kyçur, pos Ministrisë së Shëndetësisë, edhe Ministria e Bujqësisë, Fakulteti i veterinës, Agjencia kosovare e kontrollit të ushqimit dhe veterinës, Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Ambientit dhe gjitha institucionet relevante që mund të japin kontributin e tyre", bën të ditur ai.

Time Kadriaj, nga Komisioni për Shëndetësi në Parlamentin e Kosovës, ka bërë të ditur se duhet bërë gjitha përgatitjet për parandalimin e etheve hemorragjike, duke cekur se vitin e kaluar institucionet relevante janë vonuar në marrjen e masave lidhur me këtë çështje.

"Gjatë çdo sezoni veror është ngjarje që po përsërite në disa zona endemike. Sipas statistikave, kemi pasur vitin e kaluar një numër të madh të rasteve me fatalitet. Unë këtë shqetësim e kam ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, që plani strategjik të bëhet me kohë, dhe të spërkaten me kohë vendet endemike".

"Vitin e kaluar spërkatja ka filluar diku nga muaji gusht, e që mendoj se ishte dashur në pranverën e vonshme, dhe mendoj që sikur të kishte filluar me kohë kjo spërkatje, ndoshta do të mund t'i parandalonim rastet që përfunduan me fatalitet".

"Çdo iniciativë që merret, qoftë nga Ministria e Shëndetësisë, apo edhe institucioneve tjera relevante mendoj se ua kemi me borxh rajoneve endemike, pasi që sado pak do të mund t'i parandalojmë rastet që do të mund të përfundojnë me fatalitet", shprehet Kadrijaj.

Zoti Dedushaj ka shtuar se këtë vit janë ndarë mjete shtesë nga Qeveria e Kosovës për luftimin e kësaj sëmundjeje. Ai gjithashtu ka folur për masat mbrojtëse që do të bëhen në praktikë, sa i përket etheve hemorragjike.

"Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet të veçantë për këto masa dhe mendoj që do të mbulohet gjithë veprimtaria e lidhur me këtë sëmundje deri në vitin 2017. Në praktikë këtë vit do të bëhet livrimi i tokave, asgjësimi i shkurreve, do të bëhet një dezinfektim i stallave dhe kafshëve, sepse është kryesore që të ndërpritet hallka e paraqitjes së sëmundjes, do të bëhet analiza dhe grumbullimi i mostrave të natyrës etj", bën të ditur Dedushaj.

Sidoqoftë, zoti Dedushaj ka thënë se gjithashtu do të punohet në vetëdijesimin e popullatës, gjë që konsiderohet si shumë e rëndësishme në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG