Ndërlidhjet

Kosova do të vazhdojë të jetë zonë endemike me ethe hemorragjike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sipas profesionistëve shëndetësorë, Kosova do të vazhdojë të jetë zonë endemike me ethe hemorragjike, krime kongo.

Këtë vit është shënuar edhe rasti i parë i vdekjes nga ethet hemorragjike.

Sali Ahmeti, infektolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se këtë sezon në klinikën infektive kanë qenë 24 persona të hospitalizuar sit ë dyshimtë me ethe hemorragjike.

"Gjatë sezonit kemi pasur 24 të hospitalizuar si të dyshimtë nga ethet hemorragjike. Pesë kanë manifestuar shenja të rënda dhe janë konfirmuar me teste. Fatkeqësisht 1 pacient ka vdekur. Pacientët tjerë janë shëruar. Momentalisht kemi edhe 4 raste të dyshimta në klinkë. Kemi një pacient që e kemi pranuar dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Jemi duke i bërë ekzaminimet e duhura, dhe analizat , ku do t'i kemi rezultatet laboratorike", është shprehur Ahmeti.

Zoti Ahmet pohoi se çdo vit ballafaqohen me problemin e pickimit nga rriqrave, dhe sipas tij, çdo katër vjet ka shpërthime epidemike.

"Ne kemi raste çdo vit që po ballafaqohemi me ethe hemorragjike, dhe shpërthime epidemike kemi çdo 3 apo 4 vite. Tash nuk kemi ndonjë numër të rasteve për shpërthim epidemik. Por kjo sëmundje është e lidhur me kushtet gjeografike dhe klimatike. Ne ende kemi temperatura të ulëta, por reshjet të mëdha dhe janë të përshtatshme për rritjen dhe shumimin e rriqrave dhe nëse ngrihen temperaturat, ka mundësi të shfaqjes e dhe më të madhe dhe do të kemi shtim të numrit".

"Për Malishevë, e që është vatra më e madhe e rasteve, janë ndërmarrë masa, janë bërë stërpikje selektive, përndryshe mjekët janë në gjendje gatishmërie dhe besoj se me një menaxhim të mirë do t'ia dalim, derisa për zhdukjen është më e komplikuar dhe është një punë më e vështirë", bëri të ditur Ahmeti.

Por Jusuf Dedushaj, epidemiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se në vend janë bërë hulumtime shkencore për eliminimin e rriqrave, si dhe hulumtime për prodhimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike, por që në mungesë mjetesh nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk ka qenë i mundur realizimi.

"Projekti ka të bëjë me hulumtime shkencore në prodhimin e vaksinës detektimin e përqindjes së rriqrave pozitive, detektimin e gjakut të kafshëve, dhe ne kemi mbledh të dhëna dhe kemi bërë një mrekulli shkencore. Problem është se duhet të ndërhyhet në asgjësimin e rriqrave, sepse ato janë rruga kryesore e përhapjes së infeksioneve", tha Dedushaj.

Ai tha se është bërë edhe strategji kombëtare për mënjanimin e sëmundjes në fjalë, por as kjo nuk ka kaluar në mungesë mjetesh.

"Ne e kemi bërë një strategji kombëtare për eliminimin apo mënjanimin e sëmundjes, por nuk ka kaluar sepse ka kushtuar, dhe qeveria nuk ka ndarë mjete specifike për këtë sëmundje".

Por Time Kadriaj, nga komisioni për shëndetësi në Parlamentin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë kërkuar mjete shtesë për t'u realizuar projektet në fjalë, për eliminimin e rriqrave.

"Kërkesat për buxhet i bënë në këtë rast Ministria e Shëndetësisë duke e arsyetuar pse kërkon buxhet shtesë. Nëse ministri do të kishte kërkuar ndihmë nga komisioni parlamentar, ne e kishim shqyrtuar ashtu siç e kemi shqyrtuar gjithmonë kërkesën. Ne si komision nuk kemi pasur asnjëherë kërkesë për mjete shtesë për këtë rast", u shpreh Kradiaj.

Derisa drejtori i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur se këtë vit nga ministria i janë ndarë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 156 mijë euro, që lufta kundër etheve hemorragjike të jetë më e suksesshme.

"Ministria e Shëndetësisë, duke i analizuar kërkesat që i ka bërë instituti dhe kërkesat që vijnë nga zonat endemike, ju ka përgjigjur pozitivisht, duke ndarë mjetë prej 156 mijë euro, të cilat përmes institutit do të përdoren për gjitha ato veprime që lufta kundër etheve hemorragjike të jetë më e suksesshme", theksoi Hoti.

Sidoqoftë, zoti Dedushaj shtoi se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë në terren për edukim shëndetësor të popullatës, andaj siç tha ai, shpresojnë se këtë vit nuk do të ketë ndonjë epidemi masive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG