Themelimi i Gjykatës së posaçme, proces kompleks

Ilustrim

Të gjitha gjetjet që dolën pas tre vjet hetimesh nga Grupi Hetues i Bashkimit Evropian, lidhur me pretendimet për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë, do të mbeten të vulosura, deri në finalizimin e punës për funksionalizimin e Gjykatës së posaçme për krime lufte, ka deklaruar prokurori Clint Williamson, i cili i ka prirë këtij grupi.

Por, krijimi i Gjykatës së posaçme është një proces mjaft kompleks dhe që do të merr kohë, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se procesi për themelimin e Gjykatës së posaçme për krime lufte fillon në institucionet e Kosovës, të cilat, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, ende nuk janë konstituuar.

Sipas tij, edhe nëse Kosova i konstituon institucionet për një kohë relativisht të shkurtë, ajo gjithashtu duhet të ketë një shumicë të kualifikuar parlamentare që do ta mbështeste procesin, si dhe një përkrahje konstante të opozitës.

“Pa një përkrahje të tillë, në fakt, i tërë procesi do të mund të dështonte, meqë eventualisht kërkohen edhe ndryshime të Kushtetutës, që kërkojnë dy të tretat e votave. Gjithashtu kërkohet edhe ratifikim i një marrëveshjeje ndërkombëtare me një shtet të tretë, i cili do ta pranojë Zyrën për dëgjimin e dëshmitarëve, ratifikimi i të cilës marrëveshje sërish kërkon dy të tretat e votave në Kuvend. Kështu që, në fakt, edhe me konstituimin e këtyre institucioneve, vetëm me përkrahjen gjithë parlamentare mund të shkohet në drejtim të bërjes funksionale të kësaj gjykate”, theksoi Korenica.

Analisti i çështjeve politike, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas negociatave të gjata ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për formimin e Gjykatës së posaçme, Kosova përmes votës në Kuvend, me 23 prill, ka dhënë miratimin e saj për krijimin e kësaj gjykate.

Sipas tij, procesi mund të vazhdojë varësisht nga dinamika për konstituimin e institucioneve, ndërkohë që, sipas tij tashmë janë publike paralajmërimet se Zyra për dëgjim do të mund të vendoset në Mbretërinë e Holandës.

“Vetëm pas formimit të institucioneve, Qeveria e re e Kosovës duhet ta finalizoj marrëveshjen me Qeverinë e Holandës për krijimin e gjykatës dhe kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës".

"Vetëm atëherë vendoset gjykata dhe krijohet formalisht dhe administrativisht ajo dhe vetëm atëherë raporti i Williamsonit dërgohet në gjykatë dhe ajo vendos se a do të ngritë padi, aktakuzë të menjëhershme, në bazë të hetimit të Task forcës apo të autorizoj ndonjë prokuror të vetin hetimin e mëtutjeshëm të të gjeturave të raportit të Williamsonit”, theksoi Rashiti.

Ndryshe, Korenica vlerëson se për veç konstituimit të institucioneve të Kosovës, pika më problematike për themelimin e Gjykatës së Posaçme do të jetë marrëveshja e Kosovës me një shtet të tretë, duke nënkuptuar edhe Mbretërinë e Holandës, për hapjen e Zyrës për dëgjimin e dëshmitarëve, ku praktikisht do të zhvillohej pjesa më thelbësore e gjykimit.

Sipas tij, shteti i tretë duhet të arrij konsensus të gjerë brenda për brenda, për tu pajtuar lidhur me vendosjen e një zyre të tillë.

“Për shembull, për Mbretërinë e Holandës, të pranosh një zyre gjyqësore të një shteti të tretë, brenda territorit të saj, që gjykon për krime të kryera jashtë Holandës, kërkon të ketë një konsensus të gjerë parlamentar të vet atij shteti. Unë besoj që kjo do të jetë pika thellësisht më e vështira për tu arritur".

"Në fazat e para kjo çështje është kundërshtuar fuqishëm nga shumë segmente politike të Mbretërisë së Holandës, të cilët kanë ngritur dilemën nëse një zyrë e tillë do të ishte në përputhje me vet parimet kushtetuese të Mbretërisë së Holandës”, thotë Korenica.

Por, analisti Rashiti, thotë se Qeveria e Holandës ka dhënë shenjat se mund ta pranoj operimin e Gjykatës së posaçme në territorin e saj.

“Ajo që e dimë është se Qeveria e Holandës ka dërguar përmes një shkrese vullnetin e saj në institucionet e BE-së, për gatishmërinë e saj për të mirëpritur krijimin e Gjykatës dhe operimin e gjykatës në territorin e saj. Por, kjo, nuk e besoj se do të ndodhë në këtë vit. Do të marr disa muaj kohë, pas formimit të institucioneve të Kosovës dhe nuk e besoj se do të kemi institucione -nëse nuk shkojmë në zgjedhje- para shtatorit apo tetorit”, shprehet Rashiti.

Ndryshe analistët e çështjeve juridike dhe politike kanë vlerësuar se të paktën do të nevojitet edhe një vit deri në themelimin e Gjykatës së veçantë për krime lufte.

Por, sipas tyre, sa më shumë që vonon themelimi i kësaj gjykate, aq më i madh do të jetë dëmi për imazhin e Kosovës.

Kjo, sipas tyre, për faktin se, ndonëse nuk ka ende aktakuza të ngritura, Kosova do të konsumoj sulme mbi emrin e saj, të cilat shpeshherë nuk do të jenë të natyrës prokuroriale, por politike.