Seanca konstituive me plot shkelje

Seanca e së enjtes

Në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, në pjesën e parë kur janë bërë përpjekje për zgjedhje e udhëheqjes së re të Kuvendit, janë bërë shkelje të mëdha të Rregullores së Kuvendit, thonë njohësit e çështjeve juridike dhe politike.

Ata theksojnë se kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë shkelje të rënda të Rregullores së punë së Kuvendit dhe rrjedhimisht ka bllokuar punën e Kuvendit për orë të tëra.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike, shpjegon se zonja Brovina, për shkak të interesave partiake, nuk i ka zbatuar rregullat dhe agjendën e seancës konstituive.

“Në rastin konkret, ajo me sjelljen e saj, ka shkelur rëndë parimet dhe rregullat e Rregullores së punës së Kuvendit duke pamundësuar që rendi i ditës i vendosur nga kryesia e kaluar për t'u proceduar sot, nuk është zbatuar në tërësi, duke zgjedhur se cilat pika duhet të vihen në diskutim dhe cilat duhet larguar pikërisht për shkak të interesave partiake”, vlerëson Doli.

Ai kritikon Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se kishe tendenca që të bllokohet puna e Kuvendit dhe formimi i institucioneve të reja.

“Assesi, në Kosovë nuk duhet që partitë politike të shfrytëzojnë autoritetin e tyre apo besimin e dhënë nga qytetarët, për të bllokuar apo për të lënë jashtë funksionit institucionet e Kosovës. Kjo nuk është praktike e mirë dhe shpresoj që kjo praktikë të mos shndërrohet në mënyrë të rregullt se si institucionet e Kosovës e sidomos Parlamenti i Kosovës duhet të funksionojë”, shton Doli.

Në lidhje me procedimin e mëtutjeshëm të seancës, Doli thotë se përfundimisht partitë politike opozitare kuptuan që kanë mundësi që të dalin nga kjo situatë edhe pa praninë e Partisë Demokratike të Kosovës në seancë të Kuvendit.

Ai thotë se seanca pas shkarkimit të zonjës Flora Brovina, e cila kishte mbyllur seancën pa bërë përzgjedhjen e kryetarit, u bë në mënyrë të rregullt dhe pa probleme.

“Vepruan sipas Rregullores së punës së Kuvendit, duke vlerësuar drejt mënyrën e refuzimit të udhëheqjes së seancës nga zonja Brovina”, shpjegon Doli.

Nga ana tjetër, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se zhvillimet, të cilat kanë ndodhur të enjten në Kuvendin e Kosovës, kanë qenë të pritura, duke pasur parasysh kundërshtimet në njërën anë nga PDK-ja me partitë në koalicion, dhe në anën tjetër, nga blloku i formuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Mushkolaj konsideron se mënyra e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, Isa Mustafa, do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja për të marrë një sqarim lidhur me legjitimitetin e zgjedhjes së tij.

“Unë konsideroj se kjo çështje nuk do të mbetet kështu. Pres që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe për mua problematik është vazhdimi i seancës pas mbylljes nga kryesuesja zonja Flora Brovina".

"Pra, unë këtë e shoh si një problem, i cili konsideroj se nga Gjykata Kushtetuese do të vlerësohet se ka qenë procedurë e parregullt e vazhdimit të seancës dhe rrjedhimisht edhe zgjedhjes së zotit Mustafa”, vlerëson Mushkolaj.