Rastet kur mjekët gabojnë profesionalisht me pacientët, rrallëherë janë raportuar nga të dyja palët, si mungesë e një adrese të caktuar.
Edhe në hulumtimet e bëra për të drejtat e pacientëve, del se në Kosovë, rreth 55 për qind e pacientëve nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre. Zyrtarë që merren me këtë çështje, thonë se mungesa e informacioneve e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre.
Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, institucion ky ku të dyja palët - si pacientët, po ashtu edhe profesionistët shëndetësorë - do të mund t'i adresonin ankesat e tyre, është formuar vitin e kaluar.
Kjo është paraparë si pjesë legjislative përmbajtjesore brenda sistemit shëndetësor dhe kompetencat që do t'i ushtrojnë këto oda, do ta lehtësojnë punën e Ministrisë së Shëndetësisë, si institucion, kanë deklaruar zyrtarë të lartë brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
Por, pavarësisht kësaj, ankesa nga ana e pacientëve apo vetë profesionistëve shëndetësorë, nuk po adresohen në Odën e mjekëve.
Kështu thotë Besim Kodra, i cili përfaqëson Asociacionin e të drejtave të pacientëve. Sipas tij, komisionet etike nuk janë themeluar brenda odave, andaj pacientët nuk kanë mundësi të ankohen në këtë institucion.
"Sipas mendimit tim, nuk mund të presim shumë nga odat - ato nuk janë konstituuar. Bordi funksionon brenda Ministrisë së Shëndetësisë, dhe disa ankesa i ka shqyrtuar, por jo mjaftueshëm. Ky bord do të transferohet së shpejti tek odat. Në këtë bord parashihet të jetë edhe një anëtar nga asociacioni i të drejtave të pacientëve".
"As te ne nuk ka shumë ankesa, pasi që pacientët nuk dinë shumë për institucionin tonë. Ende nuk kemi mundur ta sigurojmë një mekanizëm më të mirë që ankesat e pacientëve, ne t'i zgjidhim, pasi që nuk po na lejohet qasja në Ministrinë e Shëndetësisë", thotë Kodra.
Ndërkaq, Hysni Bajrami, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, bën të ditur se Odat e Profesionistëve Shëndetësorë tashmë i ka të gjitha organet, duke filluar nga Gjykata e nderit, Prokurori i Odës, e që, sipas Bajramit, kjo odë ka për obligim të bëjë denoncimet përmes anëtarëve të odës dhe të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë të secilit mjek.
"Tashmë janë kryer zgjedhjet për odat e mjekëve. Janë kryer procedurat e zgjedhjes së Këshillit drejtues, Këshillit mbikëqyrës, Gjyqit të nderit, Prokurorit të nderit, dhe janë organe legjitime të zgjedhura nga komuniteti mjekësor. Në vazhdimësi do t'i konstituojmë të gjitha Odat mjekësore, pra 5 odat mjekësore dhe do të kemi një plan dinamik të bartjes së përgjegjësive, e që do të jetë në pajtim me ligjin. Gjithashtu, do të delegohen të gjitha kompetencat dhe besoj që Ministria e Shëndetësisë do t'i delegojë gjitha përgjegjësitë në oda", bën të ditur Bajrami.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ankesat e ndryshme nga të dyja palët adresohen tash për tash në Bordin për çështje etike profesionale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Lidhur me këtë, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri thotë:
"Tash për tash, ankesat e ndryshme i shqyrton Bordi për çështje etike profesionale brenda Ministrisë së Shëndetësisë, por gradualisht brenda kësaj periudhe transitore do t'i përcillen përgjegjësitë etike Odës së Mjekëve, në mënyrë që pas një periudhe të veprojë si e pavarur dhe t'i ushtrojë përgjegjësitë e veta".
"Bordi për çështje etike profesionale brenda ministrisë, i shqyrton kërkesat që nuk adresohen në mënyrë adekuate në nivelin e parë të ankesave, që janë komisionet etiko-profesionale në kuadër të institucioneve shëndetësore".
Sipas Hotit, për katër muajt e këtij viti ka pasur 63 ankesa të natyrave të ndryshme edhe përmes linjës telefonik, e cila funksionon falas për pacientët.
Ankesat kanë qenë kryesisht për mosrespektim të orarit të punës, neglizhencë, referim të panevojshëm në sektorin privat, moszbatim të procedurave mjekësore si duhet etj.
Sipas Hotit, brenda 3 ditësh pala njoftohet që ankesa i është drejtuar institucionit ndaj të cilit është bërë ankesa apo individit, derisa pas 10 ditësh jepet një përgjigje se çfarë është bërë me atë ankesë.
Por, Kodra thotë se po punojnë ta iniciojnë çështjen e formimit të një Ombudspersoni për ankesat e pacientëve, sipas një modeli të marrë në Kroaci.
"Kemi qenë në Kroaci që ta marrim një model të themelimit të Ombudspersonit për pacientë, në mënyrë që ankesat të trajtohen më shpejt, si dhe të ketë më shumë mundësi për ankesa. Por, është ende herët për këtë çështje, pasi që nevojitet ndryshim i ligjeve dhe kjo do të jetë një sfidë", sqaron Kodra.
Sidoqoftë, sipas kryetares së Odës së Mjekëve, Zylfije Hundozi, Oda është institucion i pavarur dhe ka për detyrë që të funksionalizojë punën e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Oda e ka për detyrë, gjithashtu, t’i mbrojë interesat e mjekëve për të gjitha pengesat që kanë gjatë punës së tyre, që ta rrisë cilësinë e punës së profesionistëve shëndetësorë, si dhe ta zvogëlojë vdekshmërinë dhe sëmundjet e njerëzve në Kosovë.