Mbi dy milion shërbime mjekësore kryhen brenda një viti në Qendrat e Mjekësisë Familjare, vetëm në komunën e Prishtinës, derisa mbi pesë mijë shërbime marrin pacientët brenda 24 orëve, thotë drejtori i Qendrave të Mjekësisë Familjare, Avdullah Hoti.
Ai i konsideron të mira shërbimet shëndetësore që ofrojnë këto qendra për pacientët:
“Me ligjet në fuqi, janë protokollet e sëmundjeve. Cilësi është numri i pacientëve më i vogël, cilësi është respektimi i orarit të punës – me të gjitha këto qëndron shumë mirë”.
Edhe qytetarët që takuam në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, shprehen të kënaqur me shërbimet shëndetësore.
Qytetari Kastriot Morina, ekonomist me profesion, mendon se shërbimet shëndetësore janë mesatarisht të kënaqshme, duke e marrë parasysh kushtet dhe realitetin e shëndetësisë kosovare.
“Stafi i mjekëve është në nivelin e duhur, mundohen me ato kushte që i kanë, të ofrojnë një shërbim të mirë. Andaj mendoj se shërbimet shëndetësore janë mesatarisht të kënaqshme, kur dihet se në çfarë kushtesh punojnë mjekët dhe në çfarë niveli është sektori publik në sistemin shëndetësor. Mendoj se Qendrat e Mjekësisë Familjare janë më mirë për nga cilësia, sesa për shembull Qendra Klinike Universitare e Kosovës”, shprehet Morina.
Derisa Besim Kodra, nga Asociacioni i të drejtave të pacientëve i ka thënë Radios Evropa e Lirë se cilësia e shërbimeve shëndetësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ashtu sikurse edhe në gjithë sistemin shëndetësor kosovar, nuk është në nivel të kënaqshëm.
“Në QKMF nuk ka cilësi të mirë të shërbimeve shëndetësore për shkak të mënyrës së financimit të shëndetësisë, ndonjëherë edhe mungesës së profesionalizmi etj”, konsideron Kodra.
Megjithatë, Hoti thotë se cilësia e shërbimeve shëndetësore varet edhe nga ankesa e pacientëve, e që siç thotë ai, ankesat nga ana e pacientëve janë të pakta.
“Cilësi është edhe ankesa e pacientëve. Numri i ankesave të pacientëve është shumë i vogël. Pacienti nuk pret, është i kënaqur me sjelljen e mjekut dhe me cilësinë e shërbimit. Parametër shumë i rëndësishëm është ankesa e pacientit dhe me komision ato hapen dhe ka shumë pak ankesa. Në bazë të këtyre parametrave, cilësia është shumë e kënaqshme”, thotë Hoti.
Por, Kodra ka një shpjegim tjetër lidhur me ankesat e pacientëve:
“Sa i përket ankesave, mendoj se edhe kur janë ankuar pacientët nuk kanë marrë ndonjë benefit prej ankesave të tyre dhe janë lodhur. Tash mendoj se nuk ankohen fare. E kemi edhe një numër për ankesa në Ministrinë e Shëndetësisë dhe fare nuk thërrasin pacientët, pasi që ai numër nuk është promovuar aq sa duhet. Edhe ata njerëz që thrrasin , rezultatet janë të vogla pasi që komisioni nuk i trajton dhe rezultatet janë të vogla. Mendoj se kjo është arsyeja pse nuk ka ankesa aq sa duhet”.
Të ndërlidhura
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.