Ndërlidhjet

Pacientët, pak informata për të drejtat e tyre


Në Ditën Evropiane për të drejtat e pacientëve, del se në Kosovë rreth 55 për qind e pacientëve nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre. Zyrtarë që merren me këtë çështje, thonë se mungesa e informacioneve e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në shoqatën që ai drejton kanë arritur 150 ankesa nga qytetarët e që sipas tij, janë të pamjaftueshme.

"Mund të them se në Ditën Evropiane për të drejtat e pacientëve, mbrojta e tyre nuk është në nivel të kënaqshëm, sepse pacientët nuk dinë t'i kërkojnë të drejtat e tyre. Për shembull, nëse marrim qasjen në shërbime shëndetësore, ka të drejtë të marrë shërbime pa të holla, pastaj nëse dëshiron informim, pacienti ka të drejtë të informohet për gjendjen e tij shëndetësore, mënyrën e trajtimit, cilat janë metodat më të mira të trajtimit, të drejtën për siguri, e shumë të tjera".

"Janë rreth 150 ankesa në shoqatën tonë nga pacientët. Është edhe një numër telefonik ku pacientët mund të ankohen, por është fatkeqësi e madhe që asnjëherë nuk është përdorur, sepse mendoj se pacientët nuk e dinë", thotë Kodra.

Edhe vetë pacientët japin mendimin e tyre për atë se sa u respektohen të drejtat. Minire Gashi thotë:

"Pacientët kanë të drejta nëse dinë t'i shfrytëzojnë, por pacientët nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre. Baza ligjore është e mirë në Kosovë, por pacientët nuk kanë njohuri. Ajo që duhet të përmirësohet është komunikimi pacient dhe staf mjekësor, që mendoj se është një dukuri shqetësuese dhe ka vërejtje të shumta. Unë personalisht si paciente kam vërejtje, si për ndonjë informatë personale shëndetësore nga ana e mjekëve, kjo mendoj se mungon, injorohesh".

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se Kosova, në respektimin e të drejtave të pacientëve, ka treguar një shkallë të lartë të vigjilencës institucionale, pasi që, sipas tij, është miratuar Ligji në vitin 2004, për të drejtat dhe përgjegjësit e qytetarit për të drejtat shëndetësore.

"Natyrisht, në këtë drejtim kemi edhe shumë punë për të bërë. Së pari informuar duhet qytetarët përkitazi me mundësitë që i kanë. Duhet drejtuar në komunikim më të mirë me ta, për t'i informuar për të drejtat që i kanë, në mënyrë që ata t'i shfrytëzojnë ato".

"Mendoj se është duke u bërë një punë e mirë në këtë drejtim, por kemi ende shumë për të bërë. Asociacioni për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve mendoj se paraqet një rrugë të drejtë dhe mekanizëm efektiv që ky komunikim të vendoset në mënyrën më të drejtë të mundshme"
, thekson Agani.

Ndryshe, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skënder Syla, pohon se ka ende punë për t'u bërë rreth të drejtave të pacientëve. Ai përmend një rast, që ka dalë si rezultat i hulumtimit të një organizate ndërkombëtare për të drejtat e pacientëve.

"Duke parë raporte të hulumtimit të organizatave vendore e ndërkombëtare, kur pacientët janë neglizhuar nga profesionistët shëndetësorë, vlen të theksohet një ngjarje kur pacientët janë neglizhuar nga stafi mjekësor. Pacienti i shtrirë në sallën e operacionit është dashur të presë derisa profesionistët shëndetësorë të aranzhojnë çmimin me familjarët e tij. Kjo del nga raporti i UNDP-së i vitit 2013", bën të ditur Syla.

Tashmë është formuar edhe Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, dhe me funksionimin e saj, do t’i ketë të gjitha kompetencat dhe autorizimet ligjore që të merren me vlerësimin dhe pasojat dhe ndërmarrjen e masave në rast të dështimeve profesionale, e që ndërlidhet edhe me të drejtat e pacientëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG