Ndërlidhjet

A i dëgjon kush pacientët?


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë është formuar Asociacionit për të Drejtat e Pacientëve. Të drejtat e pacientëve dhe përgjegjësitë në kujdesin shëndetësor, janë të rregulluara edhe me ligj. Por, sa respektohen ato, flasin vetë qytetarët për Radion Evropa e Lirë.

Dritëro Doba, qytetar, thotë se këto të drejta shqyrtohen vetëm pjesërisht.

"Mendoj se të drejtat e pacientëve në Kosovë shqyrtohen pjesërisht, ka ende hapësirë të përmirësohet situata në këtë drejtim. Prej përvojave dhe njohurive që kam, mendoj se pjesërisht respektohen. Pacientët, kur u bëhet ndonjë padrejtësi, nuk kanë shumë hapësirë për ankesa dhe mendoj se ankesat e tyre hasin në veshë të shurdhër", thotë Dritëro Doba.

Edhe Mejreme Krasniqi, qytetare, thotë se kushtet shëndetësore që mbretërojnë në Kosovë, e imponojnë një mosrespektim edhe të të drejtave të pacientëve:

"Sa i përket trajtimeve në QKUK, janë në gjendje të mjerueshme. Repartet e caktuara si Kirurgjia Vaskulare, po e ceki, sepse kam pasur përvojë, duke filluar nga pastërtia që është në mjerim. Doktorët punojnë mirë e me përkushtim, por kushtet janë shumë të këqija. E, sa i përket ankesave ka shumë, por nuk merren parasysh".

Mirëpo, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, deklaron për Radion Evropa e Lirë se ankesat e pacientëve janë të pabaza dhe shpeshherë janë të paqëndrueshme.

"Dihet mirë dhe ekziston një konventë ndërkombëtare mbi të drejtat e pacientëve dhe ajo konventë respektohet edhe në QKUK, dhe në të gjitha rastet që kemi pasur ndonjë ankesë, ne e kemi shqyrtuar nga ana e Komitetit etik profesional".

"Pacientët zakonisht kanë ankesa që nuk janë të qëndrueshme, sepse bien ndesh me rendin shtëpiak të QKUK-së, si me zgjedhjen e mjekut, gjë që ne shpeshherë jemi të detyruar ta respektojmë orarin e mjekut. Janë ankesa të natyrës procedurale derisa nuk kemi diçka serioze",
thotë Gashi.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se të drejtat e pacientëve dhe përgjegjësitë në kujdesin shëndetësor, janë të rregulluara me ligjin në Kosovë.

Sipas tij, ky ligj, në pjesën më të madhe është duke u zbatuar, por siç thotë ai, në një pjesë nuk zbatohet për shkak të mungesës së organizimit, mu në segmentin e shoqërisë civile, si dhe për shkak të kapaciteteve brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Ferid Agani
Ferid Agani
"Meqë është çështje e rregulluar me ligj, ne si Ministri e Shëndetësisë kemi obligim ligjor që t'i zbatojmë dispozitat e këtij ligji dhe jemi duke bërë çmos që t'i zbatojmë. Reforma e sistemit shëndetësor si reformë madhore që jemi duke i hyrë, me siguri se nuk do të ketë cilësinë e duhur po qe se në proces nuk do ta kemi edhe shoqërinë civile".

"Prandaj, jam i gëzuar që është gjetur motivacioni që të kemi organizime dhe ministria do të jetë një partner i besueshëm që të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor, të realizohen në mënyrë optimale, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi",
deklaron Agani.

Asociacionit për të Drejtat e Pacientëve, do të fokusohet në promovimin e të drejtave të pacientëve kosovarë, duke ofruar gatishmërinë e plotë të Ministrisë me qëllim të sigurimit të shërbimeve cilësore shëndetësore për pacientët kosovarë dhe realizimin e të drejtave të tyre në kujdesin shëndetësor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG