Ndërlidhjet

Mjekët pa përkujdesje institucionale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Siguria dhe mbrojtja në punë për punëtorët shëndetësorë ka ngjallur pakënaqësi, sidomos me nënshkrimin e kontratave të reja, ku sipas profesionistëve shëndetësorë, rrezikshmëria në punë për ta është e lartë , derisa mbrojtja institucionale mungon.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh anëtar i grupit të ekspertëve të shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rrezikshmëria në punë është e lartë te mjekët, sidomos te kirurgët, laborantët e radiologët.

"Rrezikshmëria në punë është e lartë te mjekët dhe në një farë mënyrë nuk ka përkujdesje institucionale apo shtetërore në rast se ne kemi një dëmtim në punë. Sigurime shëndetësore nuk kemi. Janë disa infeksione shumë të rrezikshme si hepatiti, HIV - Aids, dhe ne gjatë operacioneve shpohemi me gjilpëra duke punuar".

"Në të njëjtën kohë, në kontratë na shkruan se nëse ne ju shkaktojmë dëm pacientit nga puna jonë, përgjegjësinë e merr mjeku, duke mos u specifikuar se edhe nëse infeksioni ose kushtet e punës jo të mira i shkaktojnë problem pacientit, prapë se prapë mjeku është fajtor", tha Avdyli.

Ndërkaq, kryetari i sindikatës së shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, ka deklaruar se profesionistët shëndetësorë nuk pretendojnë t'i ikin përgjegjësisë për punën e tyre, por sipas tij, nuk punohet pa pasur mbrojtje në punë.

Ai akuzoi ministrin e Shëndetësisë, Ferid Aganin, për pakënaqësitë e shkaktuara brenda stafit.

"Ne si grup shëndetësor nuk i ikim përgjegjësisë, por ministri i shëndetësisë një anshëm ka filluar aplikimin e një neni ku sanksionohet përgjegjësia në punë pa u fut sigurimi në punë. Ne nuk pretendojmë t'i ikim përgjegjësisë, por jo pa u futur sigurimi i punës, mbrojtja në punë", theksoi Selmani.

Por ministri Agani tha për Radion Evropa e Lirë se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë ankesë lidhur me pakënaqësinë e mjekëve për pasigurinë në punë.

"Mendoj se kontratat janë të lidhura me ligjin e punës, dhe është hera e parë që unë dëgjoj për një ankesë të tillë, sepse unë nuk kam marrë asnjë ankesë me shkrim nga asnjëri prej punëtorëve shëndetësorë. Nëse ka ndonjë parashtresë, ne do ta shqyrtojmë me seriozitetin më të madh", tha Agani.

Në anën tjëtër, Xhemajl Selmani bëri të ditur se tashmë dialogu social ndërmjet sindikatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë është ndërprerë.

"Ministri Agani, në vazhdën e kampanjës në luftë për ligjin e shëndetësisë i ka futur edhe këto elemente, duke shkaktuar në njërën anë pakënaqësi, në tjetrën anën e kanë ndërprerë dialogun social një anshëm. As nuk na pyesin për organizatën sindikaliste, dhe neve nuk na ka mbetur tjetër vetëm të shihemi përmes gjykatave dhe me dialogut me ta", u shpreh Selmani.

Derisa zoti Agani e thotë të kundërtën.

"Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam marrë shkresë elektronike nga kryetari i sindikatës për ripërtëritjen e dialogut social dhe jemi plotësisht të gatshëm që ajo të ndodhë, dhe jemi në proces të organizimit të takimit të vazhdimit të këtij bashkëpunimi", tha ministri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG