Ndërlidhjet

Komercializohen stentat në zemër


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të mungesës së materialit, nuk aplikohet vënia e stendave në zemër, derisa Kardiokirurgjia për operacionet e hapura në zemër ende nuk është funksionalizuar.

Ndërkaq në institucionet shëndetësore private, çmimi për një stentë është 3500 euro, kurse operacioni i hapur në zemër kushton 7 mijë euro.

Shqetësim i vetë ekspertëve shëndetësorë janë referimet e pacientëve nga institucionet publike shëndetësore, në ato private për të vënë stenta në zemër dhe atë shpeshherë pa pasur nevojë.

Një përvoje të tillë e ka edhe Mentor Gashi, babait të të cilit i kanë vënë 5 stenta në zemër, në njërin nga spitalet private në Prishtinë, siç thotë Mentori, pa pasur nevojë fare.

Gashi flet vetë për Radion Evropa e Lirë, për një përvojë të tillë, siç e quan ai, të hidhur:

"Babai i ka 67 vjet dhe vuan nga diabeti . Kur ka shkuar te mjeku, i kanë thënë se urgjent duhet të shkojë në spitalin e zemrës. I kanë treguar ku edhe te cili mjek, dhe janë përcaktuar për stentë. Ai tash i ka 5 stenta në zemër".

Sipas Gashit, pas dërgimit të diagnozës së tij jashtë vendit, mjekët atje kanë konstatuar se ai nuk ka pasur nevojë për stenta.

"Unë e kam marrë diagnozën e babait edhe e kam dërguar në Holandë, meqë jam shtetas holandez, i kam dërguar te një mjek holandez dhe një tjetër mjek belg - shumë të njohur për sëmundjet e zemrës. Këta kanë thënë se stentat në zemër nuk duhet assesi të vihen, sepse ai nuk e ka zemrën e dobët, por kanalet e zemrës janë të mbushura me kalcium, nga sëmundja e sheqerit, e që mund të lirohen me barna".

"Stentat vihen vetëm kur është jeta në rrezik, e ky nuk e ka jetën në rrezik. Por këtu i kanë thënë se jetën e ka në rrezik edhe duhet patjetër stenta. Kjo i anashkalon të gjitha ligjet etike të shëndetësisë. Mendoj se është katastrofa më e madhe që kam dëgjuar ndonjëherë. Herën e parë kemi paguar 15 mijë, edhe herën e dytë përafërsisht të njëjtin çmim",
tregon Gashi.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiologjisë, Bedri Zahiti, thotë se për shkak të mungesës së materialit, stentat nuk mund të vihen te pacientët në nevojë, brenda QKUK-së.

"Kemi shumë pak material. E kemi hapur tenderin dhe tash presim të na furnizojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe unë do ta organizoj 24 orë, pastaj, vënien e stendave", thotë Zahiti.

Edhe vetë ekspertë shëndetësorë shprehin shqetësimin e tyre, se përpos referimit nga institucionet publike në ato private, pacientët që nuk kanë nevojë po referohen për një trajtim të tillë.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh anëtar i grupit të ekspertëve të shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo veprim i tillë si rasti i mësipërm duhet të dënohet. Megjithatë, ai nuk e mohon se gjëra të tilla në vend po ndodhin.

"Duke e marrë parasysh që profesioni human dhe ndjenja njerëzore nuk e lejon që të bëhen manipulime të tilla, çdo vërtetim eventual se është bërë ndonjë gjë e tillë, duhet të dënohet. Këtu luhet edhe me ndjenjat e pacientit, e edhe dëmtohet pacienti materialisht".

"Në mjekësi ekziston mundësia që të vërtetohet një gjë e tillë nëse është vendosur pa nevojë, atëherë duhet të dënohet mjeku që e ka dhënë këtë indikacion . Ekzistojnë organet, mjekët dhe komisionet e ekspertëve, andaj çdo pacient që mendon se i është bërë e padrejtë, duhet ta paraqesë rastin", thekson Avdyli.

Ndërkaq, deputetja në Kuvendin e Kosovës,Time Kadrijaj, njëherësh anëtare e Komisionit për shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se dukuria e referimit të pacientëve nga institucionet publike shëndetësore në ato private, mbetet shqetësues.

"Kardiokirurgjia nuk është funksionale, dhe pacientët nuk mund t'i kryejnë këto shërbime aty. Unë nuk posedoj statistika se sa është numri i pacientëve që referohen pa pasur nevojë e për përfitime të mjekëve dhe këtë duhet ta bëjë Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati shëndetësor", shprehet Kadrijaj.

Por, kryeinspektorja në Ministrinë e Shëndetësisë, Ardita Baraku, thotë se janë duke u marrë me këtë çështje, duke mos dhënë të tjera detaje.

"Momentalisht jemi duke u marrë me këtë çështje. Tash jemi në shqyrtim të rastit dhe nuk kam informata për të dhënë, derisa nuk kemi diçka më konkrete", deklaron Baraku.

Sidoqoftë, zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se tenderimi për furnizim me barna dhe material shpenzues shpeshherë zgjat për shkak të procedurave ligjore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG