“Parku i paqes” - barrikadë e turpshme

"Parku i paqes" mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Heqja e barrikadës dhe rivendosja e një barrikade tjetër me emrin “Parku i paqes” mbi urën e lumit Ibër, lum ky i cili ndan anën jugore dhe veriore të Mitrovicës, është refleksion i politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj Bashkimit Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Shpend Kursani,
analist i çështjeve politike, thotë se heqja e barrikadës, fillimisht, është nga Qeveria e Serbisë, si rrjedhojë e takimit të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, e ka pasur javën e kaluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Largimi i barrikadës, sipas Kursanit, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Gjermanisë ndaj Serbisë.

“Me heqjen e barrikadës, pra, si kërkesë e Gjermanisë që ka qenë, Serbia ka dashur t’i tregojë Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian se është në gjendje të bashkëpunojë, në mënyrë që të shpërblehet sërish nga BE-ja. Por, sërish e ka zëvendësuar atë barrikadë me një tjetër, duke mos e quajtur më barrikadë, sepse nuk është në interesin e saj që ta quaj si të tillë, por tash e quan ‘Park të paqes’. Në njëfarë mënyre, e mban situatën ashtu siç ka qenë, por se duket mirë karshi syve të Gjermanisë dhe BE-së në mënyrë që të përfitojë”, konsideron Kursani.

Ai thekson se situata, me barrikadën e re, nuk ka ndryshuar, edhe pse, siç shprehet ai, mund të duket për nga pamja më e bukur. Megjithatë, thotë Kursani, ura mbetet e bllokuar si edhe më parë dhe kjo është kundër ligjeve të Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile në anën jugore të Mitrovicës kanë reaguar ndaj, siç e quajnë ata, rivendosjes së barrikadës. Valdete Idrizi nga iniciativa e organizatave të shoqërisë civile, Platforma CiviKos, e quan të turpshme gjithë atë që ka ndodhur mbi urën e lumit Ibër.

“Është e turpshme kjo që ka ndodhur. Me të vërtetë është e tillë, sepse kujt ka për t’i kontribuar kjo? Në njërën anë vazhdon dialogu Kosovë – Serbi, që të flitet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, por edhe brenda Kosovës - do të thotë, funksionalizimi i një shteti me komunitete të ndryshme, përfshirë edhe veriun e Kosovës, në këtë rast, komunën veriore të Mitrovicës – e në tjetrën anë, veprimet tregojnë komplet të kundërtën”, thotë Idrizi.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, vlerëson se heqja e barrikadës mbi lumin Ibër dhe vendosja e një tjetre, ndonëse në formë më të butë, siç thotë ai, nuk ka ndonjë ndikim qenësor në aspektin e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

“Në sektorin e sigurisë luan pak rol ajo, sepse tashmë janë vendosur forcat e rendit të Republikës së Kosovës në atë pjesë. Është prezent EULEX-i dhe KFOR-i. Do të thotë, në aspektin e sigurisë dhe mobilitetit nuk ka ndryshuar asgjë. Është një lloj provokimi që mund ta nxisë dikë që të bëjë ndonjë veprim të pamatur. Por, deri më sot, nga ana jugore apo nga pjesa e populluar nga shqiptarët, nuk kemi pasur provokime të tilla dhe nuk kanë rënë në provokime të tilla, por kanë treguar një pjekuri politike të nivelit të duhur”
, shpjegon Musliu.

Lidhur me heqjen e barrikadës dhe rivendosjes së të ashtuquajturit “Park i paqes” mbi urën e lumit Ibër, ka reaguar edhe njëri prej liderëve të serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq.

Heqja e barrikadës, sipas tij, ka qenë kërkesë e kancelares Merkel, ndaj kryeministrit serb Vuçiq.

“Por, çfarë në fakt është synuar me heqjen e barrikadës? Të bëhet kinse një park me lule? Këtë nuk e kam fare të qartë. Nuk ka ndonjë logjikë politike. Por, unë mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve në veri është kundër heqjes së barrikadës. Ata mendojnë se serbët nuk janë të sigurt në pjesën veriore dhe se kjo barrikadë ka qenë ajo që në një mënyrë ka mbrojtur serbët nga hyrja e ekstremistëve nga ana jugore e qytetit. Beogradi është ai që ka marrë mbi vete marrëveshjen e Brukselit, dhe tash duhet të përmbushë të gjitha diktatet nga Berlini, Brukseli, Uashingtoni dhe vendet tjera perëndimore”, shprehet Jakshiq.

Por, analisti Kursani vlerëson se ajo që ka ndodhur mbi urën e lumit Ibër, ditën e mërkurë, pritet të prodhojë efektet e veta, të cilat qeveria serbe i ka përllogaritur mirë.

Efekti kryesor, sipas tij, do të jetë faktorizimi i serbëve të veriut në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, tash, në mënyrë që të largohet kjo tjetra (barrikadë) që është rivendosur, normalisht që serbët tash do të kërkojnë edhe diçka më shumë. Pse mendoj se mund t’ia arrijnë qëllimit të tyre që të kërkojnë sërish diçka më shumë se sa që kanë marrë deri më tash, gjatë dialogut Kosovë-Serbi, është se Serbia dhe serbët e veriut duken më mirë me këtë situatë".

"Po duken kinse kanë lëshuar pe, sepse e kanë hequr një barrikadë të keqe dhe e kanë zëvendësuar me një më të mirë. Tash pritet nga Qeveria e Kosovës, që për ta hequr këtë barrikadën e re, të lëshojë pe edhe për diçka në kërkesat e tyre në të ardhmen, kur edhe rifillon dialogu Kosovë - Serbi
”, vlerëson Kursani.

Ndryshe, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes një komunikate, shpreh zhgënjimin e tij të thellë lidhur me, siç thuhet, veprimin e turpshëm të rivendosjes së barrikadës mbi urën e lumit Ibër.

“Kjo lojë e turpshme dhe e rrezikshme, por mbi të gjitha antiligjore është e papranueshme për vlerat e shoqërisë dhe shtetit tonë demokratik. Ata që janë përgjegjës për këto veprime antiligjore, do të përballen me ligjin herët apo vonë. Liria e lëvizjes është e drejtë fondamentale dhe ajo nuk mund të cenohet nga askush”, thotë Thaçi.

Ai u bën thirrje udhëheqësve lokalë të komunitetit serb që të tregohen të arsyeshëm dhe ta heqin këtë barrikadë.

“Turpi që paraqet kjo barrikadë nuk mund të fshihet nga lulet e vendosura në vend të gabuar. Ai turp largohet vetëm kur të largohet barrikada dhe ura të jetë e lirë për qarkullim”, thuhet në deklaratën e kryeministrit në largim, Thaçi.