Sistemi gjyqësor në Maqedoni, i politizuar

Ilustrim

Pushteti gjyqësor në Maqedoni vazhdon të jetë në shënjestër të kritikave për mungesë së pavarësisë, për joprofesionalizëm dhe ndikime partiake. Vlerësimeve negative për gjendjen e gjyqësorit i është bashkangjitur edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e pushtetit.

Në kongresin e BDI-së që u mbajt në Tetovë, Ahmeti u përqendrua edhe në procesin e fundit gjyqësor “’Monstra” lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në Smillkovcë të Shkupit, për të cilët akuzohen disa shqiptarë, por procesi ndaj tyre është zhvilluar me kundërthënie të ndryshme për shkak të pretendimit për mungesë provash.

“Partnerë do të na kenë të gjithë ata që do luftojnë në këtë vend që të mos ketë drejtësi selektive, pasi akoma ka drejtësi selektive. Pavarësisht se ne jemi në pushtet, ka ende padrejtësi, sepse nuk kontrollohet çdo virus dhe çdo gjyqtar e prokuror me ngarkesa, të mos them edhe fashiste, sepse po shihen dukshëm edhe pse nuk janë të shumtë, por janë të rrezikshëm. Ne duhet të punojmë që elementë të tillë në këtë vend, të mos ketë", deklaroi Ahmeti.

Reagimi i tij vjen pas fjalës përfundimtare të Prokurorisë për këtë rast, e cila kishte kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit, por kanë qenë provat e prezantuara prej prokurores së rastit, Geshkovska, ato që kanë nxitur reagime të ndryshme në opinion.

Në fakt, ajo si dëshmi se të pandehurit kanë kryer aktin, ka përmendur edhe ngurrimin e tyre për t'i kërkuar falje familjarëve të viktimave, si dhe atë se të pandehurit për kryerjen e krimit, kanë qenë të motivuar nga dëgjimi i këngëve të ndryshme me motive urrejtje ndaj viktimave.

Edhe njohësit e çështjeve juridike, i vlerësojnë si krejtësisht joprofesionale dhe të ndikuara nga politika vlerësimet e tilla, por në të njëjtën kohë, kërkojnë përgjegjësi për gjendjen, në të cilën ndodhet gjyqësori dhe privimin e qytetarëve nga e drejta për të pasur procese gjyqësore të pavarura.

“Këtu përgjegjësia, pa mëdyshje, se i bie subjektit politik shqiptar që të bëjë presion më të fuqishëm politik nëpërmjet partnerit të tij të koalicionit, nëpërmjet pushtetit ekzekutiv mbi pushtetin gjyqësor. Është e vërtetë se pushteti gjyqësor, pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ, vërtet janë të pavarur, por ata kanë edhe mekanizma të kontrollit dhe të balancimit reciprok, kështu që njëri pushtet është i pavarur, por ai mund të kontrollohet nëpërmjet pushtetit tjetër”, thotë Mersim Maksuti, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.

Mirjana Najçevska, aktiviste dhe ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit, thotë se procesi gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë në Smillokovcë, është edhe një dëshmi se gjyqësori në Maqedoni është i ndikuar nga politika.

Sipas saj, verdikti për këtë rast u dha nga vetë ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ende pa nisur procesi gjyqësor, kur deklaroi se personat e ndaluar janë autorët e vrasjes, të cilët i etiketoi si terrorist. Ndërsa, sa i përket prokurores, ajo kërkon përgjegjësi për nxitje të urrejtjes ndëretnike.

“Prokurorja duhet thirrur në përgjegjësi pasi ka keqpërdorur pozitën. Ajo në mënyrë jo përkatëse i ka udhëhequr procedurat, por gjithashtu duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga struktura qeverisëse për rrënim të pushtetit gjyqësor”,
vlerëson Najçevska.

Pushteti gjyqësor në Maqedoni ka qenë në shënjestër edhe të kritikave të institucioneve ndërkombëtare, ndërsa në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian, është kërkuar vazhdimi i reformave në drejtim të rritjes së pavarësisë, heqjes së ndikimeve politike dhe luftimit të korrupsionit brenda gjykatave të vendit.