Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjyqësori nën ndikimin politik


Ndërtesa e gjykatës në Shkup, Maqedoni
Ndërtesa e gjykatës në Shkup, Maqedoni
Sistemi Gjyqësor në Maqedoni, jo rrallë herë funksionon me direktivë të personave të caktuar të pushtetit, kjo është dhe arsyeja pse gjykatat në vend janë të mbyllura dhe jo transparente, vlerëson Kryetari i Komitetit të Helsinkit, Osman Kadriu, duke kumtuar edhe të dhënat e fundit nga institucioni që drejton ai, se gjyqësori është një nga institucionet për të cilin qytetarët kanë më së shumti vërejtje.

Me disa metoda që përdor gjyqësori në Maqedoni gjatë shqiptimit të dënimeve si dhe realizimin e seancave gjyqësore, sidomos të padisë penale, si për mjetet e informimit, ashtu edhe për qytetarët të cilët janë të interesuar t’i ndjekin të njëjtat, duke përfshirë edhe të drejtën e mbrojtjes ndaj të akuzuarve. Andaj me plot të drejtë bëhen vërejtje edhe nga komuniteti ndërkombëtarë, KE, se në gjyqësorin e Maqedonisë, ka një diktat të theksuar politik në veprimin e gjykatave, gjithashtu edhe në shqyrtimin e lëndëve konkrete” thekson Osman Kadriu.

Ai, me këtë rast, ka apostrofuar edhe shkeljen ligjore që e bëjnë autoritetet e hetuesisë në emër të luftës kundër krimit të organizuar, duke shkelur të drejtën e pafajësisë.

Vllado Buckoski, ish kryeministër, aktualisht ligjërues i së drejtës penale, thotë se gjersa ishte në procedurë lënda ku ndiqej ai, për shpërdorim të detyrës, media të caktuara të afërta me pushtetin informonin për rastin në fjalë në krye të lajmeve, por ditën që gjykata mori vendim për pafajësi, kjo pothuajse nuk u përfill fare në edicionet informative nga po të njëjtat media.

Para së gjithash, unë problemin do ta kisha vënë te karakteri, ose më mirë thënë stoicizmi i gjykatësve, të cilët nuk kanë kapacitet të ushtrojnë në mënyrë të pavarur profesionin e tyre, duke u bërë ballë presioneve që jo pak bëhen nga ana e ministrit të drejtësisë Mihajllo Manevski. Thjesht gjykatësit duhet të kuptojnë se ligjet dhe e drejta është në duart e tyre, dhe kjo është arma me të cilën duhet përjashtuar politikën nga kthinat ku duhet të zotërojë vetëm drejtësia” shprehet Vllado Buckoski.

Nga ana tjetër Bajram Pollozhani, ish gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, thekson se përmes gjyqësorit udhëheqësit shtetërorë demonstrojnë forcën politike.

Kjo mbyllje e gjykatave, pritjet e gjata që bëhen në korridore ose në oborrin e gjykatës, flet për një demonstrim të forcës nga ana e pushtetit që është më se evidente në Maqedoni, të lë të dyshosh se është një aranzhim i demonstrimit të një force të tillë nga organet ekzekutive dhe ata politike në organet e jurispodencës” thotë Pollozhani.

Sipas tij, stërzgjatja e proceseve gjyqësore krijon mundësi për manipulimin e së vërtetës.

Përmes proceseve të përsëritura të stërzgjatura, duke bërë klasifikimin me relevancë të fakteve dhe të provave të tjera të cilat nxirren, pritet të bëhen pazaret politike në vazhdim, që mbi atë ujdi të arritur, disa procese arrijnë të zbuten, akuzat për vepra të caktuara ri-cilësohen dhe zbuten në masë të madhe, kualifikimet për të njëjtat, që në fillim kanë qenë shumë më të rrepta” shprehet Bajram Pollozhani.

Ndërkaq, ministri i drejtësisë Mihajllo Manevski, ka theksuar se gjatë mandatit të tij, më shumë se kurdoherë janë miratuar ligje të cilat ndihmojnë në pavarësimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor nga ekzekutivi, si në aspektin financiar, ashtu dhe në emërimin gjykatësve si dhe profesionalizimin e kuadrit .

Nga dikasteri i drejtësisë, gjithashtu është theksuar se në përfundimin e sipërm janë reformat të cilat i ka rekomanduar Komisioni Evropian, andaj me të drejtë pret kritika pozitive në këtë drejtim.

Por Margarita Caca Nikollovska, e cila një kohë të gjatë ka punuar si gjykatëse për të drejtat e njeriut në Strazburg, thotë se ligjet e mira, vetvetiu nuk paraqesin garanci se drejtësia do të zë vendin e merituar.

Sipas saj sundimi i së drejtës, sipas standardeve të vendeve të zhvilluara demokratike, varet nga më shumë faktorë që duhet të veprojnë në formë të sinkronizuar.

Në pajtueshmëri me shumë kritere, emërimi i gjykatësve, ndonëse bëhet përmes shtytjes së forcave politike, i bën që edhe vendimet e tyre të jenë peng po nga struktura të caktuara të politikës” thekson ajo dhe nënvizon se për këtë flet edhe fakti se gjithnjë e më shumë, qytetarët parashtrojnë ankesa në gjykatën e drejtësisë në Strazburg, të pakënaqur nga ajo, si e ka shqyrtuar lëndën gjyqësori në Maqedoni.

Ndryshe, në raportet e KE-së, së fundmi edhe në atë të Transparency International, është theksuar se “Maqedonia ka probleme të theksuara në ndërhyrjen politike ndaj shkarkimit të gjykatësve, emërimit dhe shkarkimit të shërbyesve civilë, qasjes në informata dhe zbatimit të procedurave të prokurimit publik".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG