Dëme ekonomike nga jofunksionaliteti politik

Ilustrim

Jofunksionaliteti politik i krijuar me muaj të tërë në Kosovë dhe së fundi shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, që ndodhi për shkak se Qeveria kishte humbur përkrahjen e shumicës, ka bërë jashtëzakonisht dëme të mëdha në aspektin ekonomik në vend, vlerësojnë përfaqësues të organizatave ekonomike dhe ekspertë.

E gjithë kjo situatë jo e mirë politike, thonë të ketë ndikuar në rënien e investitorëve të huaj dhe rënie të zhvillimit ekonomik.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se për një kohë shumë të gjatë, mosmarrëveshjet politike krijuan probleme në aspektin ekonomik.

Madje, siç vlerëson Rexhepi, edhe në debatet për ligjet e caktuara apo miratimin e buxhetit, nuk është vërejtur se ka pasur një vizon apo gatishmëri që politikanët të përballen në mënyrë më konkrete me problemet ekonomike.

“Edhe derisa ka qenë funksional Kuvendi, së paku në rrafshin ekonomik, nuk ka treguar ndonjë ambicie apo gatishmëri që të merret në mënyrë më serioze. Dëshmia më e mirë është procesi i Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, ku krejt procesi ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve në Kuvend dhe përplasjeve që kanë ndodhur mes relacioneve Kuvend dhe Qeveri”.

“Rasti tjetër është kompensimi i pagave të humbura për punëtorët e fabrikës së tubave në Ferizaj, ku vazhdimisht është luajtur një lojë ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë”,
thotë Rexhepi.

Procesi i Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës kishte dështuar në dhjetor të vitit të kaluar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të këtij aseti publik.

Zhvillimet e fundit politike, kanë treguar se Kosova është një vend i pasigurt për të investuar, vlerëson Rexhepi. Sipas tij, mosmarrëveshjet politike ndikuan në moszhvillim ekonomik, e që si rrjedhojë e kësaj, papunësia dhe varfëria, mbeten në nivel të lartë.

Çka ka prodhuar kjo, ka prodhuar një situatë ku investitorët e huaj nuk kanë shprehur gatishmëri që të vijnë në Kosovë, që edhe ka shënuar rënie, dhe në të njëjtën kohë kemi një rënie të lehtë të zhvillimit ekonomik”.

“Rritja e prodhimit të brendshëm vitin e kaluar është dukshëm më e ulët sesa para tre vjetësh, e mos të flasim për normën e papunësisë dhe varfërisë, e cila edhe nëse nuk ka ndonjë shenjë të rritjes së madhe, ajo ka stagnuar dhe ka mbetur në nivele të larta”, vlerëson Rexhepi.

Në anën tjetër, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tregon se për investitorët amerikanë element kyç për financimin e një projekti apo investimi në një vend, është stabiliteti politik dhe qëndrueshmëria politike, e që në Kosovë nuk ekziston.

“Sa i përket jofunksionalitetit në përgjithësi, unë mendoj se kjo nuk është diçka që po ndodh vetëm pas shpërndarjes së Kuvendit, por është diçka me të cilën jemi përballur në vitin e fundit. Ka pasur shumë ligje që kanë qenë të rëndësishme për sektorin privat, të cilat kanë qenë peng i mosfunksionimit të duhur të Kuvendit”, thekson Zeka.

Zeka rikujton Ligjin për mallrat e liruara nga detyrimet doganore që kishte pasur një bllokim që nga vera e vitit 2013 dhe mezi kishte arritur të kalojë në fund të vitit 2013 dhe kjo për shkak të mungesës së numrave të partisë në pushtet.

Kjo ishte hera e dytë që institucionet e Kosovës nuk arritën të përmbyllin mandatin katër vjeçar. Mandatin e kaluar, Kuvendi pati shkarkuar Qeverinë dhe më pas ishte shpërndarë, duke e dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.