Maqedoni: Listat e "betonuara" zgjedhore

Shkup...

Të dielën në mesnatë ka skaduar afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, me atë që 14 partitë kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit.

Analistët politik duke komentuar listat e deputeteve me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, thonë se edhe kësaj radhe bie në sy betonimi i po të njëjtëve njerëz në partitë politike.

Analisti maqedonas Zdravko Savevski, thotë se në bazë të listave të kandidatëve për deputetë, dëshmohet se partitë politike nuk freskohen, nuk zgjerohen, por sipas tij, janë figura të përhershme politike me përjashtim që ka bërë LSDM, e cila ka propozuar emra krejtësisht të rinj në politikë.

“Kjo që mund të vërehet te strategjia që ka zgjedhur partia maqedonase LSDM, është se ata kanë dalë me një listë për të cilën mendojnë se do të votojnë edhe ajo pjesë e elektoratit, e cila është e papërcaktuar, gjegjësisht ndajnë mendimin se partia në pushtet VMRO-DPMNE shumë keq e qeveris vendin, por njëkohësish për ta disa personalitete nga ish strukturat e vjetra të partisë, janë shumë antipatik”, vlerëson Savevski.

Ai shton duke se megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve do të tregojnë se krerët e LSDM-së duke mos qenë në krye të listave zgjedhore, kanë dashur të ikin nga përgjegjësia e dështimit eventual në zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo bëhet fjalë për një strategji e cila do të rezultojë me sukses duke marrë besimin e elektoratit.


Nga ana tjetër, Alajdi Demiri, analist politik nga Tetova, thekson se konceptet partiake sot janë transformuar në të ashtuquajtura koncepte të liderëve politik, gjegjësisht janë liderët politik ata të cilit janë bartës të çdo zhvillimi politik.

“Problemi elementar i klanizimit të partive politike këtu në Maqedoni është ligji për zgjedhje, i cili favorizon partitë politike në kurriz të identitetit të kandidatëve vetanak, gjegjësisht identiteti i kandidatëve për deputet nuk paraqet asgjë më shumë se një numër. Në situatë të këtillë partitë politike funksionojnë në mënyrë diktatoriale, ku lideri i partisë është ai që ulet dhe përcakton listën e kandidatëve sipas asaj sa janë të dëgjueshëm dhe ushtarë partiak”, shprehet Demiri.

Sipas tij, mungesa e ofertave konkrete për problemet aktuale bën që të rritet dhe numri i atyre të cilët nuk dalin fare në zgjedhje.

“Mendoj se është faza e dëshpërimit të madh nga politika, gjegjësisht nga partitë politike nga ana e elektoratit, përkatësisht qytetarët. Andaj mendoj se edhe më tej do të zvogëlohet numri i atyre të cilët dalin në zgjedhje, por duhet theksuar se edhe ky fenomen nuk i brengos partitë politike sepse ata janë një hap para. Pra, siç ishte rasti me uljen e cenzusit për zgjedhjen e presidentit të shtetit, ose thjesht janë të pirur që të gjejnë metoda, përkatësisht mekanizma që të legjitimojnë vetveten”, thekson Demiri.