Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushatë me premtime jashtë kompetencave


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Java e parë e fushatës elektorale të kandidatëve për president shteti, vlerësohet kryesisht negative nga njohësit e çështjeve politike.

Edhe pse bëhet fjalë për kreun të shtetit, pretendentët për këtë post nuk janë përqendruar në kompetencat e këtij institucioni, por më tepër janë pozicionuar në etiketimin e kundërshtarëve apo me çështje krejtësisht tjera duke përfshirë ato ekonomike, arsimore e madje edhe me premtime për subvencione në bujqësi e kështu me radhë.

Sasho Klekovski, analist dhe përfaqësues i qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, thotë se kandidatët duhet të përqendrohet para së gjithash në çështjet që janë në kompetencë të tyre, si politika e jashtme, aspektet euro-integruese që të mund elektorati të vendosë se për cilin nga kandidatët do të përcaktohet.

Por, ai fajin për këtë më së shumti ua hedh shtabeve të partive politike, se sa kandidatëve në garë.

“Gjithsesi se kandidatët garën e kanë filluar me një fushatë elektorale negative, por ajo nuk ka nisur nga vetë ata, por nga personalitete tjera apo nga shtabet e partive që përfaqësojnë. Veç kësaj, kandidatët gjatë tubimeve me elektoratin, merren edhe me çështje që aspak nuk kanë të bëjnë me kompetencat e tyre”.

“Ata trajnojnë edhe çështje ekonomike, ulje të tatimeve e kështu me radhë. Por, shpresoj se fushata do të marrë dimensione tjera, pra ashtu edhe siç duhet të jetë që kandidatët të përqendrohen në agjendat e tyre, apo në çështjet që kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit të shtetit si politika e jashtme, çështjet euro-integruese e kështu me radhë”
, thotë Klekovski.

Ndërkohë, Arsim Sinani, analist dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se fushata elektorale e kandidatëve për president dëshmon se në Maqedoni ende nuk ka demokraci të mirëfilltë dhe programe zgjedhore joshëse për elektoratin.

“Fushata presidenciale në Maqedoni nga ajo që kemi parë deri më tani më shumë i ngjason një fushate për zgjedhjet lokale. Mendoj se kjo dëshmon se demokracia në Maqedoni është e kontrolluar dhe në një pozitë të palakmueshme për shkak se është evidente se presidenti në Maqedoni do të mbetet në figurë kukull”, thotë Sinani.

Veç mungesës së platformave zgjedhore reale, ciklet zgjedhore në Maqedoni po zhvillohen edhe pa debate apo përballje mes kandidatëve qoftë për zgjedhjet presidenciale apo për ato parlamentare.

Analisti Sinani thotë se kjo është një boshllëk shumë i madh demokratik, por edhe privim i qytetarëve nga e drejta për të dëgjuar nga afër ata, për të cilët duhet të votojnë. Fajin kryesor për këtë ia hedh kandidatit që aktualisht ushtron postin e presidentit.

“Performanca e dobët e presidentit aktual në ballafaqim me kandidatët tjerë ende do t'ia ulë rejtingun, andaj edhe do të përcaktohet që të mos dalë në përballje të drejtpërdrejtë për shkak se kjo e dëmton. Çështja tjetër ka të bëjë me atë se në Maqedoni kjo është bërë praktikë, pasi që nga viti 2006 ne nuk kemi pasur asnjë ballafaqim të liderëve kryesorë dhe kjo flet për atë demokracinë e kontrolluar në Maqedoni. Mungesa e përballjes mes kandidatëve, tregon se Maqedonia i afrohet vendeve me një demokraci elastike”, thotë Sinani.

Për postin e presidentit garojnë katër kandidatë, Gjorgje Ivanov nga VMRO DPMNE- ja, i cili fushatën elektorale e zhvillon me moton “Shteti mbi të gjitha”; Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së opozitare me moton “Maqedonia meriton president”; pastaj kandidat i PDSH-së, Iljaz Halimi i cili garon me moton “Për president shqiptar”; si dhe Zoran Popovski i opsionit qytetar maqedonas, me moton “Njëri i guximshëm, shtet krenar”.

Rrethi parë i zgjedhjeve zhvillohet më 13 prill, ndërsa pas dy javësh, më 27 prill, zhvillohet rreth i dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më shumë vota në rrethin e parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG