Ndërlidhjet

Maqedoni: Financimi i partive, temë debatesh


Fushatë në Maqedoni...
Fushatë në Maqedoni...
Finansimi i fushatave elektorale të partive politike sërish ka ngritur debatet mbi transparencën e tyre gjatë periudhave zgjedhore.

Kjo çështje është e rregulluar në mënyrë precize me ligj dhe të gjitha detyrimet për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje janë të përfshira në Kodin Zedhor, thotë Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi.

Partitë, sipas tij, gjatë fushatës zgjedhore e deri në përfundim të saj janë të obliguar të paraqesin nga tre raporte për finansimin e fushatave të tyre, si në Entin shtetor për revizion, në Komisionin shtetëror zgjedhor, në Komisionin antikurrupsion dhe pas shyqrtimit të tyre nga këto institucione, rapoti dorëzohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë.

Pas kësaj procedure, hartohet edhe raporti përfundimtar.

“Në afat prej 1 muaji revizioni shtetëror është i obliguar që të bëj kontrollin e raporteve të fushatës së partive politike por edhe të kandidatëve të pavarur se si është finansuar dhe a është në përputhje me të gjitha normat e Kodit zgjedhor dhe ligji për finansimin e partive politike“, thotë Jakupi.

Sipas tij, në rast të mosrespektimit të këtyre rregullave, pasojnë sanksione ndaj të gjitha atyre që bëjnë shkelje të Kodit zgjedhor.

“Dënimi i parë është për vepër kundërvajtëse e cila parasheh dënime prej 3-5 mijë euro dhe dënimi i dytë ka të bëj me vepër penale që parasheh dënime me burg deri më 3 vjet“, thotë Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Por, përkundër rregullave të këtilla të përcaktuara me Kodin zgjedhor dhe akte tjera ligjore, partitë politike nuk janë transparente lidhur me harxhimet e majme të fushatave elektorale.

Kjo ka ndodhur në të gjitha ciklet zgjedhore dhe nuk do të bëjë përjashtim as gjatë fushatës që tashmë ka nisur për zgjedhjet presidenciale apo asaj që do të pasojë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vlerësojnë drejtuesit e organizatës joqeveritare “Transparencë Maqedoni“, e cila veç tjerash, merret me fushatat dhe financimin e partive politike.

“Procedura nuk zbatohen, gjithçka përfundon me nisma për ndonjë revizion por që nuk kanë epilog. Gjatë shqyrtimit të financimit të fushatave elektorale të partive politike nuk analizohen në detaje raportet e tyre, por më tepër ato shihen në aspektin teknik se a kanë paraqitur apo jo raporte mbi financimin e tyre".

"Ky nuk është thelbi i rregullativës ligjore pasi dikush mund të dërgojë pa ndërprerë raporte të cilat, por ato duhet të analizohen në detaje në aspektin ekonomik, financiar që të vërtetohet nëse qëndrojnë ose jo raportet e tilla“, thotë Aleksandra Markovska nga organizata Transparencë Maqedoni.

Sipas raportit të organizatës "Transparencë Maqedoni" të titulluar "Paratë dhe Politika" vetëm 29 për qind e partive gjatë zgjedhjeve lokale të një viti më parë kanë përmbushur detyrimin e tyre për paraqitjen e raporteve financiare vjetore.

Gjatë vitit 2011 situata ka qenë edhe më alarmante meqë obligimin ligjor e kanë përmbushur jo më shumë se 11 për qind e tyre.

Ligji mbi partitë politike si burime të financimit të tyre parasheh grumbullimin e parave nga anëtarësia, donacione të ndryshme por që duhet të publikohen dhe të mos kalojnë shifrat e parapara me ligj si dhe nga grumbullimi i votave gjatë zgjedhjeve e që nuk kalon më shumë se 15 denarë apo 0.25 euro për një votë, para këto që ndahen nga buxheti i shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG