Maqedoni: Efektet e ndotjes së ajrit janë të dukshme

Protestë kundër ndotjes së ambientit në Shkup, foto nga arkivi

Organizatat ekologjike kanë ngritur zërin ndaj qëndrimit të fundit të ministrit të Ambientit Abdulaqim Ademi për dhënien e një mundësie shtesë për të gjitha kompanitë, apo fabrikat të cilat llogariten si ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Maqedoni.

Ai kërkoi që t'u shtyhet afati për disa muaj, që të mund të pajisen me lejen ‘A’ të integruar ekologjike, e cila përfshin vendosjen e filtrave dhe sistemeve tjera të funksion të mbrojtjes së ambientit nga ndotjet e ndryshme, dhe jo ashtu siç kishte deklaruar në fillim të vitit se një prilli është afati i fundit ta bëjnë këtë, ose në të kundërtën do t'u vendoset dryni.

“Jemi të zhgënjyer meqë ministri Ademi për më pak se një muaj e gjysmë u zotua në një deklaratë para mediave ku ishte decid se do të shuhen të gjitha kapacitetet të cilat janë identifikuar si ndotësit më të mëdhenj pavarësisht sa punëtorë do të humbin punën meqë kjo nuk mund të krahasohet me shëndetin e qindra mijë banorëve".

"Thjesht deklarata e djeshme e ministrit se do t'u jepet edhe një afat nëse ato demonstrojnë se kanë bërë ndonjë hap konkret pa definuar se çka paraqet hap konkret, për ne është e papranueshme mos them dëshpëruese meqë qëndrimet e dikaserit të ambientit jetësor dëshmojnë se nuk janë konsistente po të njëjtat ndryshojnë sipas interesave momentale të politikës ditore”, shprehet Merita Maksuti, aktiviste për mbrojtjen e ambientit jetësor.

Nga ana tjetër Boban Kostadinovski nga Forumi Rinor për Arsim konsideron se autoritetet shtetërore janë të papërgjegjshme ndaj ambientit jetësoë si pasojë e “heshtjes së qytetarëve” ndaj veprimeve të caktuara që kërcënojnë ambientin jetësor.

“Edhe kundrejt thirrjeve të shumta 'online' ose kontakteve të drejtpërdrejta që realizojmë me qytetarët për t'i njoftuar se pse ata duhet të ngrenë zërin ndaj çështjeve të caktuara që kanë të bëjnë me ambientin jetësor, një numër shumë i vogël i tyre del për të protestuar".

"Më duhet të theksoj se pjesa më e madhe e aktiviteteve tona mbështetet nga nxënësit dhe studentët të cilët janë dhe anëtarë të organizatës sonë por pjesa më e madhe e qytetarëve nuk i ndjekin aktivitetet tona ekologjike edhe pse ata drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me interesat e tyre”, nënvizon Kostadinovski.

Sipas tij, mungesa e debateve për më shumë çështje ekologjike është arsyeja se pse ata nuk paraqesin forcë e cila do t'u thotë jo politikave të gabuara që dëmtojnë ambientin jetësor.

Ndryshe, Merita Maksuti thotë se sektori civil do të jetë edhe më i zëshëm me aktivitetet e veta për të parandaluar ndotjen e ambientit nga gjigantët e metalurgjisë sepse pasojat nga ndotja tanimë janë evidente në rajonin e Tetovës.

“Veçanërisht ku jeton edhe vetë ministri Ademi, tanimë kemi raste të lindjes së fëmijëve me anomali të ndryshme, gjithashtu kemi kontaktuar dhe shtëpinë e shëndetit dhe është evidente se numri i të prekurve nga sëmundjet kancerogjene është në rritje nga viti në vit”, shprehet Maksuti.

Ndryshe, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Abdulaqim Ademi është shprehur për mediat se pret qe fabrikat të ndërmarrin hapa konkret drejt përmbushjes së standardeve dhe jo përmbushjen e tërësishëm të tyre deri më 1 prill, si afat i fundit i caktuar, për vendosjen e filtrave, siç kishte deklaruar në fillim të këtij viti.

“Ne duam të shohim hapa dhe projekte konkrete nga kompanitë që duhet të plotësojnë këto kritere me qëllim që qeveria dhe ministria të vihen në pozicion për të shqyrtuar mundësinë eventuale për plotësimin e kërkesave të ndonjë plani operativ, jo të gjithë planeve dhe afateve por eventualisht të ndonjë plani dhe pjese të planit operativ”, është shprehur Ademi.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare këtë shtyrje të afatit për përmbushjen e standardeve ekologjike, e shohin mundësi të zhvillimit të korrupsionit, që sipas tyre duhet të hulumtohet nga prokuroria.

“Për fat të keq jemi të detyruar gjithnjë e më shpesh të reagojmë ndaj vendimeve të qeverisë që kanë të bëjnë me përmbushjen e standardeve ekologjike, të cilat kuptohet se për kompanitë të cilat ndotin ajrin janë shumë të mirëseardhura. Kuptohet meqë tangon vetëm interesat e biznesit dhe jo dhe interesat e qytetarëve. Lë shumë hapësirë për të dyshuar se pas kësaj fshihen afera korruptive”, vlerëson Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare Transparence International.