Ndërlidhjet

Maqedoni: Shkupi dhe Tetova, qytetet më të ndotura


Ilustrim
Ilustrim
Shkupi dhe Tetova edhe më tej shënojnë shkallën më të lartë të ndotjes së ajrit gjegjësisht prezencës mbi nivelin e lejuar të grimcave të ngurta PM10.

Organizatat e ndryshme joqeveritare thonë se autoritetet qeveritare e kanë kohën e fundit që të ndërmarrin masa radikale të cilat do të kontribuonin në uljen e ndotjes së ajrit, gjersa Qeveria edhe një herë ka bërë të ditur se për masa më radikale duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, për çka për momentin nuk ka nevojë.

Andaj, në fuqi mbeten vetëm masat afatshkurtra, që kanë të bëjnë me lirimin nga puna e grave shtatzëna, si dhe personave mbi moshën 60-të vjeçare.

Nga puna janë liruar edhe të sëmurit kronik, ndërkohë që është përcaktuar një orari më i shkurtë i punës për punëtorët e angazhuar nëpër objekte në ndërtim e sipër.

Mjekët thonë se mjegulla e cila nuk tërhiqet për disa ditë me radhë, ka bërë që të rritet edhe numri i pacientëve të sëmurë nga virusi i gripit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Këto materie të ngurta të cilat i kemi prezent në ajrin që e thithim, të cilat janë si pasojë e mjegullës dhe ajrit të ndotur që vjen nga oxhaqet e fabrikave që lëshojnë tym pa filtra, madje jo pak hise këtu kanë dhe automjetet të cilat lëshojnë gazra që e ndotin ambientin mbi nivelin e lejuar, dhe kur merret i gjithë ky kombinim i faktorëve kuptohet se rritet rreziku që një organizëm të jetë më i nënshtruar ndaj virusit të gripit”, bën të ditur Ilir Luma, mjek nga Tetova.

Ai thotë se të dhënat e Instituti për Shëndet Publik, kanë bërë publike se numri i të sëmurëve nga gripi krahasuar me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar, shënon rritje për 2,6 herë.

Ndërkohë që Organizatat Ekologjike thonë se ndotja e ajrit është si rrjedhojë e mos respektimit të standardeve të përcaktuara me ligj nga ana e fabrikave të ndryshme të cilat janë të fokusuara vetëm në profitin e tyre, pa mbajtur aspak llogari për atë si ndikojnë ato në shëndetin e qytetarëve.

Metoija Sasdov, nga Qendra e Gjelbër Ekologjike thotë se asnjë nga gjigantët e prodhimit të metalurgjisë nuk ka implementuar filtrat e përcaktuara me ligj, edhe pse afati i fundit është një prilli për vendosjen e filtrave, të gjithë arsyetohen me krizën e përgjithshme ekonomike.

Ai thekson se problem plotsues paraqet dhe shkatërrimi i pjesëve të gjelbra në qytetin e Shkupit, në të cilat tani janë duke u ngritur godina shumëkatëshe, të cilat bllokojnë edhe qarkullimin e ajrit përgjatë rrjedhës së lumit Vardar.

“Po investitorët e ndërtimtarisë pothuajse aspak nuk bëjnë hulumtime se si ato ndërtime do të ndikojnë në cilësinë e ambientit jetësor, edhe pse me ligj parashihen një varg masash për kompensim që duhet të ndërmarrin autoritetet komunale pasi të kenë shkatërruar një pjesë të gjelbër duke e zëvendësuar atë me investime në lëmi të ndryshme që do të ndikonin në uljen e ndotësve të ajrit”, thekson Sazdov.

Sipas tij, e keqja më e madhe qëndron në politizimin e skajshëm të gjërave, sepse çdo aksion për vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e ambientit jetësor menjëherë etiketohet si aksion pro ose kundër ndaj një strukture politike dhe jo si aksion për një ambient të shëndoshë.

Se në rritjen ndotjes së ajrit viteve të fundit kontribuojnë ndërtimet e të cilët janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, ka lënë të nënkuptohet edhe ministri i Ambientit në Maqedoni, Abdulaqim Ademi.

“Aktivitete ndërtimore në përgjithësi kanë ndikim në ndotjen e ajrit, veçanërisht kur kemi të bëjmë me fazën e ndërtimit, meqë atëherë kemi të bëjmë me shumë aktivitete duke filluar nga përdorimi i materialeve ndërtimore, por këtu kemi të bëjmë me gjithë atë makineri të angazhuar për ndërtim, e cila jo vetëm që është e koncentruar në një vend, por edhe jashtë objektit ku ndërtohet”, nënvizon Ademi.

Ai thekson se problemet me ndotjen e ajrit, veçanërisht në qytetin e Shkupit, kanë filluar pas tërmetit të vitit 1963 dhe kanë vazhduar në vitet e 90-ta me ç’rast janë ndërtuar disa objekte më të mëdha të cilat kanë bllokuar lëvizjen e ajrit përgjatë rrjedhës së lumit Vardar nga gryka e Radushës.

Nga ana tjetër, kryetari qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, ka theksuar se në vazhdimësi bëhen inspektime në teren, me atë që asnjë automjet i cili është i përfshirë në procesin e ndërtimit, mos shfaqet në rrugët e qytetit me copëza të mbetjeve nga ndërtimet.

“Ato objekte që janë në fazë të ndërtimit po u nënshtrohen kontrolleve të ashpra, e kam fjalën për ato automjete që dalin nëpër rrugët e Shkupit, paraprakisht duhet t’i pastrojnë gomat e tyre, me qëllim që ato mos të shpërndajnë pluhurin, gjithashtu qyteti i Shkupit në disa raste përmes Higjienës Komunale pastron me ujë dhe mjete speciale rrugët me qëllim të largimit të grimcave PM10 në tokë dhe të njëjtat të mos kthehen në ajër", ka Trajanovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG