Ndërlidhjet

Frymëmarrja e "rrezikshme"


Shkup, foto nga arkivi
Shkup, foto nga arkivi
Aktivistët për mbrojtje nga ndotja e ajrit të martën kanë shpërndarë maska nëpër rrugët e Shkupit si dhe kanë ngjitur afishe me përmbajtjen se “Frymëmarrja në Shkup është e rrezikshme për shëndetin“.

Reagimi i tyre vjen pas të dhënave mbi ndotjen e madhe të ajrit dhe reagimit joadekuat të institucioneve ndaj gjendjes së paraqitur. Sipas të dhënave, edhe sot prania e grimcave të ngurta helmuese, PM10 është jashtë normave të lejuara.

Simbolika e kësaj proteste është që t'ia tërheqim vëmendjen qytetarëve për ndotjen e ajrit që vjen si rezultat i mospasjes së kujdesit më elementar për mbrojtjen e ajrit duke filluar nga trafiku urban, kapacitetet industriale, prerja e drunjve, shkatërrimi i parqeve dhe veprime tjera që sollën ndotjen e ajrit si asnjëherë më parë".

"Unë jam i vetëdijshëm se më këto maska ne nuk mbrohemi, por, këtë hap e ndërmorëm që të tërheqim vëmendjen meqë nuk kemi asnjë komunikim me drejtuesit e pushtetit lokal në Shkup. Ndërkohë, edhe institucionet tjera ngrijnë duart duke thënë se nuk janë përgjegjës, e në anën tjetër, 650 mijë banorët e kryeqendrës vazhdojnë të thithin ajër të ndotur“, deklaroi Nikolla Misarev, një nga aktivistët e shoqatave ekologjike.

Masa urgjente kërkojnë edhe disa nga qytetarët të cilët nisën të lëvizin me maska për mbrojtje nga ndotja e ajrit.

“Bashkëshorti im është i sëmurë kronik. Dje, doli pak jashtë dhe një orë pasi u kthye filloi të ndiejë dhembje. Unë isha e detyruar të dal për shkak të obligimeve, por gjendja është e padurueshme. Po helmohemi, nuk guxojmë të hapin as dritaret“, thotë Neda Jovanovska, një grua e moshuar.

Se gjendja është alarmante flasin edhe mjekët. Ata thotë se nevojiten masa urgjente pasi gjendja e tanishme mund të jetë fatale për personat me shëndet jo të mirë.

“Ndotja e ajrit është një nga arsyet themelore për paraqitjen e sëmundjeve kronike. Nga ndotja mund të paraqiten sëmundje të mushkërive, e madje edhe kancerë të ndryshëm“, thotë Tome Stefanovski, mjek pulmolog nga Klinika Universitare e Shkupit.

Ndotja e ajrit gjendej si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të qeverisë. Masat që janë miratuar me propozim të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kanë të bëjnë kryesisht me disa kufizime në komunikacionin rrugor si dhe me kontrolle në kapacitetet industriale.

Masat e miratuara vlejnë edhe për qytetet e Tetovës, Manastirit dhe Kërçovës ku po ashtu është regjistruar ndotje e madhe e ajrit.

“Pra, me propozim të ministrisë së ekologjisë parashihen të ndërmerren disa masa me qëllim të zvogëlimit të ndotjes. Kërkohet që të ketë kontrolle me intensive nga inspektoratet shtetërore në kapacitetet industriale, do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve të rënda në pjesët urbane të kryeqendrës, reduktim të lëvizjes në komunikacion si dhe masa tjera“, deklaroi zëdhënësi qeverisë Muhamet Hoxha.

Këto masa merren pas vlerësimit të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se ndotja e ajrit në radhë të parë ka ardhur nga trafiku dhe nga amvisëritë të cilët përdorin lëndë të ndryshme për ngrohje, e më pak nga industritë, siç pretendojnë shoqatat e ndryshme.

Nga qyteti i Shkupit thonë se zgjidhja e situatës me ndotjen e ajrit qëndron në gasifikimin e kryeqendrës dhe për këtë qëllim tanimë është hartuar studimi i fizibilitetit, ndërsa punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG