Kur do të pasurohet mielli me hekur dhe acid folik?

Ilustrim

Në Kosovë nuk ekziston një sistem i mirëfilltë i regjistrimit të kualitetit të ushqimit dhe nuk ka të dhëna se sa ushqim shpenzohet brenda një viti për kokë banori.

Shkalla e lartë e varfërisë bën që të konsumohet sasi e pamjaftueshme e ushqimit, kanë deklaruar zyrtarë që merren me këtë çështje.

Në shtator të vitit 2012, Ligji mbi pasurimin e miellit me hekur dhe acid folik, u miratua nga Kuvendi i Kosovës, si vendi i 75-të në nivelin global me legjislacion për të përmirësuar shëndetin publik, përmes kësaj praktike efektive.

Kjo praktikë do të zbatohet në bashkëpunim dhe përkrahje me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinë, Shoqatën e Mullisëve të Kosovës dhe UNICEF-in.

Agron Gashi, nga UNICEF-i, thotë se kjo organizatë ka një sërë aktivitetesh për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, e që kanë të bëjnë me program të të ushqyerit.

Sipas tij, pasurimi i miellit është mënyra më e mirë dhe më e lirë që redukton mungesën e disa elementeve, si acidi folik dhe hekuri. Mungesa e këtyre përbërësve shkakton shumë anomali, e ndër to edhe lindje të parakohshme dhe lindje të fëmijëve të vdekur.

“Burimet e ndryshme tregojnë se kemi raste të shumta të vdekshmërisë së fëmijëve, kemi raste të shumta të vdekjes së nënave, si dhe lindje të fëmijëve me anomali të ndryshme. Dy studime që janë bërë në Kosovë, tregojnë për shkallën e ngecjes në rritje dhe tregon se kemi mungesë të hekurit te popullata dhe ngecje në rritje te fëmijët. Kjo ngecje është se mungon ushqimi cilësor për një kohë të gjatë”, thotë Gashi.

Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka bërë të ditur se projekte të kësaj natyre, duhet të ketë sa më shumë dhe institucionet e vendit duhet që në fokus të punës së tyre të kenë rritjen e standardit të jetesës për popullatën tonë, sepse në këtë mënyrë, siç thotë ai, shërbejmë një vitaliteti human dhe ekonomik.

“Ka kaluar më shumë kohë se që është dashur dhe pritur, sepse pasurimi i miellit e dimë që me dy komponentët, si hekuri dhe acidi folik, është parandalues i shumë sëmundjeve të mëvonshme që mund të shfaqen si rezultat i mungesës së hekurit dhe acidit folik”, thekson Stavileci.

Ndërkaq, Shemsi Veseli, zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se për përmirësimin e shëndetit publik, nevojitet pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur. Ai thotë se kjo, për Ministrinë e Shëndetësisë, pasqyron një prioritet, sepse ushqyeshmëria jo adekuate është një nga shkaqet e shëndetit jo të mirë në Kosovë.

“Ushqyeshmëria jo e mirë, e sidomos mungesa e hekurit dhe acidit folik prek një kategori të ndjeshme si nënat shtatzëna dhe fëmijët. Arritjes së qëllimeve tona i kontribuon edhe iniciativa për pasurimin i miellit, e që e ka bazën ligjore, si dhe gjithë mekanizmat për realizimin e tij”, thekson Veseli.

Ndryshe, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se për ushqyeshmërinë ka rekomandime të ndryshme, në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga ky institut. Sipas tij, ushqyeshmëria në vend është e mangët.